“Je e çmendur”/ Përplasje të ashpra në mbledhjen e KLP mes Sokol Stojanit dhe Mirela Bogdanit: Kështu e gjykova, kush je ti që…
Për problemet e sigurisë ushqimore dhe të prodhimeve bujqësore, gazetarja e Top Channel, Lira Burgija, bisedoi me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Edmond Panariti.
TCH: Zoti ministër, çfarë politikash dhe masash konkrete ka marrë Ministria për të garantuar kontrollin e ushqimeve.
Edmond Panariti: Bëhet fjalë për një ndryshim konceptual të një sistemi të ri, i cili bazohet te gjurmueshmëria e parandalimi, dhe jo te konstatimi dhe kapja e problemit. Kur kapet problemi është vonë. Sfida jonë është ta parandalojmë atë, atje ku ai mund të fillojë, që është prodhimi bujqësor. Prandaj ne po ndërtojmë një sistem të ri, i cili bazohet në një përqasje vertikale sipas parimit europian, nga ferma në tavolinë. Barriera apo filtri i parë duhet të jetë ferma dhe prodhimi, pasi në treg mund të jetë vonë. Po qe se prodhimi i ndotur shkon në treg, edhe sikur ta bllokosh në një segment të tij, nuk ke shanse ta bllokosh në të gjitha përmasat e tij, pasi produkti mund të shkojë në Tiranë, por edhe në Vlorë, në Sarandë, apo edhe jashtë shtetit si eksport, duke e shpërndarë problemin në të katërt anët dhe duke e pasur të pamundur ta kontrollosh.
TCH: Konkretisht, si do të realizohet kjo?
Edmond Panariti: Personalisht mora përsipër sfidën për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve analitike në nivel të operatorëve rajonalë. Ishte krijuar një koncept, apo paragjykim, që këto analiza të insekticideve të metaleve të rënda, të fitohormoneve janë kompetencë e laboratorëve të specializuar, të cilët kanë aparatura të sofistikuara, kërkojnë aftësi dhe “knoë-hoë” të specializuara. Ky është një mit absolutisht i pavërtetë. Këto kapacitete do të instalohen dhe do të funksionojnë në mënyrë permanente të paktën në 3 laboratorë rajonalë, e më pas do të shtrihen në të 6 laboratorët rajonalë të kontrollit të mbetjeve në bimët dhe prodhimet e tjera bujqësore. E filluam me laboratorin e Lushnjes, duke qenë edhe afër AKU-së së Fierit. Unë kam porositur edhe kite të gatshme, të shpejta, diagnostike, që mundësojnë kryerjen e këtij spektri analizash të metaleve të rënda dhe insekticideve e fitohormoneve. Më pas do të shtrihemi në Vlorë dhe natyrisht edhe në Durrës, ku kemi edhe portin afër. Mund të importohen edhe produkte nga jashtë, të cilat duhet t’i nënshtrohen natyrisht kontrollit rigoroz për praninë e ndotësve të mundshëm në to. Ndërkohë, kemi edhe Institutin e Sigurisë Ushqimore të Veterinarisë, i cili është kulmi i garantit institucional të sigurisë së cilësisë ushqimore. Pra, në rastet kur laboratorët rajonalë do të identifikojnë raste pozitive është Instituti më pas që përcakton me saktësi shkencore edhe natyrën e kimikatit, por kryesorja është që bllokimi bëhet në bazë dhe pastaj monstra për analiza më të specializuara bëhet në qendër.
TCH: Fermerët në Korçë janë ankuar për mungesën e tregut sa i përket produkteve të tyre. Pse ndodh ky fenomen në një kohë kur dihet që në vend nuk plotësohen kërkesat e konsumatorëve me produktet vendase, jo më të hidhen produkte të tëra dëm.
Edmond Panariti: Fakti që prodhimet shqiptare mbeten pa shitur dhe nuk ezaurohen nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën e përdorimit të inputeve, por nga mungesa e infrastrukturës përkatëse për pikat e mëdha të grumbullimit në magazinat frigoferike. Kur kemi pikun e prodhimit të mollëve apo të patateve, natyrisht tregu nuk ka kapacitet për të absorbuar të gjithë atë sasi që prodhohet në mënyrë të menjëhershme. Prandaj ajo sasi duhet të kalojë fillimisht nëpër pikat e grumbullimit, në magazinat frigoferike, për t’u shpërndarë më pas në mënyrë uniforme në të gjithë vitin, në mënyrë që tregut t’i ofrohet mundësi për ta absorbuar. Ndaj dhe në skemat tona të mbështetjes financiare, prioritet i është dhënë investimeve në krijimin e pikave të mëdha të grumbullimit, magazinave frigoferike. Nga ana tjetër, fermerët duhet të orientohen mirë edhe me faktin se cilat janë kërkesat e tregut për një prodhim të caktuar, në një kohë të caktuar, në mënyrë që të mos rezultojë që të gjithë të prodhojnë bostanë apo mollë. Ata duhen orientuar për të njohur kuotat që mund të absorbojë tregu në një periudhë të caktuar. Ndërsa për pjesën tjetër, atëherë t’i drejtohen kulturave të tjera. Personalisht do të shkoj të bisedoj me fermerët, për të gjetur mënyrën se si ata mund ta zgjerojnë spektrin e kultivimit, me prodhime të tjera alternative që janë më me interes për tregun dhe që kanë akses në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Kjo është sfida, për mua nderi më i madh që mund t’i bëjmë fermerëve është t’ua marrim prodhimin, pasi në këtë rast jemi luajalë me ta, sepse kështu justifikohet mundi dhe investimi që ata kanë bërë.
TCH: Folëm për fermën, për shpërndarjen e prodhimeve bujqësore, kalojmë te tregu… Kur do të largohen shitësit ambulantë nga rrugët dhe a do të ketë penalitete?
Edmond Panariti: Shitës ambulantë në Shqipëri nuk ke vetëm shitës të fruta-perimeve. Madje po të lëvizësh edhe në kryeqytet, mund të shohësh shitës ambulantë të rrobave të vjetra, apo lloj-lloj të tjerë, buzë trotuarëve. Kjo është një sfidë në përgjithësi e shoqërisë shqiptare, por tek ushqimi është shumë delikat, sepse ai konsumohet 3 herë në ditë. Prandaj do të jemi shumë taksativë. Nuk kemi ndërmend të penalizojmë tregtarët e vegjël, sepse kanë të drejtë të tregtojnë, por këtë mund ta bëjnë pasi të identifikohen, të regjistrohen dhe të tregtojnë sipas parametrave striktë higjeno-sanitarë. Natyrisht në vende të autorizuara dhe që respektojnë parametrat bazë të higjenës. Ata që kanë dëshirë ta vazhdojnë këtë aktivitet buzë trotuareve, mes pluhurit e baltës, nuk do të kenë shans dhe këtu do të bashkëpunojmë me forcat e Policisë së Shtetit, pasi ky problem i kalon përmasat e Ministrisë së Bujqësisë dhe ka të bëjë me kërcënimin e shëndetit dhe jetës. Bëhet fjalë për një operacion të koordinuar mirë me organet tatimore, që do t’i identifikojnë, me licencën që do ta marrin nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe, për personat që nuk kanë vullnetin të respektojnë ligjin do të veprojë edhe Policia e Shtetit.
Top Channel