Vullnetarë kundër zjarrit/ Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari: Mbrojtja e territorit fillon nga vetë komuniteti

11/06/2026 19:45

Zjarrfikësit nuk do të jenë më të vetëm në luftën kundër zjarrit, pjesë e aksionit të shuarjes së flakëve tashmë janë edhe vullnetarët e njësive administrative të Tiranës.

“Punonjësit e zjarrfikësve nuk do të jenë më heronjtë e vetëm në këtë punë. Nëse ne do t’i bëjmë krah të gjithë, do të lehtësojmë punën dhe do të ulim dëmet”, shprehet Shkëlqim Hajdari.

Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari tha se mbrojtja e territorit fillon nga qeverisja vendore dhe vetë komuniteti.

“Sot do ta bindim njëri-tjetrin që ajo që orientuam, që grupet vullnetare për mbrojtjen nga zjarri të ndërtohen në çdo njësi të qeverisjes vendore. Por kjo duhet të na bëjë të përgjegjshëm, që të mos përfshihemi në ngjarje shumë të rënda; është krijimi i grupeve vullnetare dhe vënia e tyre në dispozicion të njësive administrative”, vijon Shkëlqim Hajdari.

Prefekti Hajdari foli edhe për projektin e së ardhmes që i hap rrugën zjarrfikëses në zonat e thella.

“Projekti numër 2 që do të realizojmë është fillimi i hapjes së rrugëve pyjore të ndërtuara ose të reja për të shkuar mjetet zjarrfikëse. Sepse ju e dini shumë mirë që një zjarr nuk është kurrë 100% i sigurt nëse nuk shoqërohet me mbylljen e tij nga mjetet e specializuara dhe njerëzit si zjarrfikësit”, përfundon prefekti Hajdari.

Në malin e Dajtit, ku vullnetarët mësuan si menaxhohen flakët e zjarrit, Prefekti Hajdari kërkoi të ketë zero tolerancë për piromanët që vënë në rrezik jetën dhe natyrën.

Top Channel