Nishani dekreton amnistinë për të burgosurit

26/03/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi shpalljen e ligjit “Për
dhënie amnistie” dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Këto dy
pr/ligje u miratuan pak ditë më parë në Kuvend me shumicë të cilësuar.

Nga amnistia përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në 3 vjet me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri më datën 31 dhjetor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.

Përfitues do të jenë edhe ata persona të dënuar femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4.

Gjithashtu, do të përfitojnë dhe personat e dënuar meshkujt që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4.

Nga ky ligj përfitojnë dhe personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4.

Përfitues janë dhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vuajtur efektivisht 9/10 e dënimit të dhënë, pavarësisht ndalimeve të parashikuara në nenin 4. Në këtë afat nuk llogariten uljet e dënimit, faljet ose çdo përfitim tjetër sipas ligjit.

Të gjithë atyre personave të dënuar të cilët nuk përfitojnë nga sa më sipër u amnistohet: a)një vit e gjysmë për personat e dënuara femra (gra) dhe të miturve në kohën e kryerjes së veprës penale; b) një vit, për personat e dënuar meshkujt ( burra).

Gjithashtu, amnistohen plotësisht nga ndjekja penale të gjithë personat, që deri më 31 dhjetor 2013 kanë kryer vepra penale, të cilat parashikojnë një maksimum deri në 3 vjet burgim ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë, me përjashtim të veprave të parashikuara në nenin 4 pika 2

Top Channel