Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën pasdite se maxhoranca qeverisëse bën realitet një prej premtive të saja kryesore gjatë fushatës elektorale: legalizimet falas të shtëpive.

Këtë proces shefi i qeverisë e nisi nga Paskuqani, njëra prej shumë zonave informale në vend. Ligji i legalizimeve i ndryshuar do të miratohet brenda muajit prill 2014, njoftoi Rama.

Në 8 vjet, 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje, theksoi kryeministri, prandaj ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas.

“Ne e njohim legalizimin si një detyrim për gjithë ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, me sakrifica të jashtëzakonshme. Ne i qëndrojmë premtimit tonë të bërë në fushatë se nuk do marrim para nga ata që kanë një shtëpi, por ata që kanë dy shtëpi, të dytën duhet ta paguajnë”, deklaroi Rama.

Tapitë e para të shumëpritura nga banorët e Paskuqanit i ndau vetë kryeministri.

“Me letrat që do merrni sot e përditë, në Tiranë e gjithë Shqipërinë, do shkoni në hipotekë dhe do bëheni pronarë. Për të tjerët skema do të jetë më e lehtë. Jemi krenarë që në 6 muaj bëmë realitet atë që kërkohej të bëhej në 20 vjet. Koha do tregojë se është bërë gjëja e duhur”, u shpreh Rama.

Top Channel