Bashkia: Rama t’i japë fund luftës politike ndaj nesh

26/03/2014 00:00

Bashkia e Tiranës ka akuzuar sot kreun e qeverisë Edi Rama se me luftën
politike që i ka shpallur këtij institucioni po dëmton interesat e
qytetarëve të kryeqytete pa dallim bindjesh politike.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, i beri thirrje kryeministrit të zhbllokojë buxhetin e bashkisë së Tiranës, i cili në këtë gjendje, sipas tij, pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit e shumë objekteve të rëndësisë së parë për jetën e kryeqytetasve.

“Me bllokimin e buxhetit është pamundësuar financimi i shpronësimit të tokës për varreza dhe projektit të rehabilitimit të tyre, financimin e të rinjve të Tiranës për të nisur biznesin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune, financimin e nxitjes së sipërmarrjes dhe punësimin e qytetarëve të Tiranës. Bllokimi i buxhetit ka pamundësuar financimin e qendrave sociale, ku marrin mbështetje më shumë se 2300 qytetarë në nevojë, financimin e projekteve kulturore të Tiranës, mbështetjen për artistët e rinj, për piktorët, fotografët, muzikantët, mbështetjen për sportin dhe të gjitha veprimtaritë e shumta sportive që Bashkia organizon përgjatë një viti”, tha nënkrtetari Bozdo.

Top Channel