Basha: S’ka takim me Edi Ramën

26/03/2014 00:00

Partia Demokratike nuk hyri në negociatat që Partia Socialiste ia propozoi të hënën me qëllim organizimin e një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

Për zotin Basha, kjo nuk do të thotë se opozita është kundër dialogut, por siç theksoi ai, Partia Demokratike nuk bën shoë as me dialogun, as me integrimin europian.

“Lobimi ynë për statusin nuk do të kishte vlerë, nëse do të investoheshim për një paqe teatrale në Tiranë, gjoja për t’ia hedhur Brukselit. Këtu truket nuk funksionojnë. Demagogjia nuk pi ujë”, deklaroi Basha në mbledhjen e grupit demokrat.

Por mesa duket, në listë nuk është vetëm Brukseli. Në datën 1 prill, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin, ku do të takohet me kancelaren Angela Merkel. Ky zhvillim nuk u përmend hapur nga kryetari i Partisë Demokratike, por Lulzim Basha la të kuptohet se kërkesa e kryeministrit për të negociuar një takim me opozitën kishte lidhje me vizitën e tij shumë të rëndësishme në Berlin.

“Së dyti, për kundërshtarët tanë, dialogu, siç mund të jetë shprehje e një reflektimi pozitiv dhe kthimi nga rruga pa krye e arbitraritetit dhe arrogancës, mund të jetë edhe një lojë politike, një manovër meskine për të kaluar një situatë, për t’i hedhur hi syve dikujt, për t’u dukur çfarë nuk janë. Në parim, do të ishte mjerim i madh të kesh një koncept të tillë për dialogun”, nënvizoi Basha.

Argumentat e tjerë se përse kreu i Partisë Demorkatike nuk u investua në pranimin e një takimi me Edi Ramën janë të njohura, duke nisur nga kërkesa për zbatimin e vendimit të gjykatave për kthimin në punë të të larguarve nga administrata deri tek ajo që e quan “tërheqje përfundimtare” të mazhorancës nga revanshi dhe sulmi kundër institucioneve të pavarura dhe presidentit të Republikës.

Kryetari i Partisë Demokratike bëri të qartë se opozita do të vazhdojë të denoncojë publikisht çdo veprim të qeverisë që cënon standardet demokratike. Si të tillë, zoti Basha përmendi edhe rastet e disa zyrtarëve të dorëhequr ditet e fundit për shkak të përfshirjes së tyre në vepra të ndryshme penale.

“Emërimi i tyre  provon falsitetin e meritokracisë që predikon qeveria Rama-Meta. Jo meritokracia, por krimokracia është e reja që kanë sjellë. Nuk ka paqe e nuk do të këtë paqe, pajtim jo se jo, me krimin dhe shkeljen e ligjit nga ana jonë”, shtoi Basha.

Top Channel