Kodheli: Kundëradmiralit i mbaron mandati

25/03/2014 00:00

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka deklaruar se nuk ka marrë
kompetencat e presidentit në shkarkimin nga detyra të kundëradmiralit
Kristaq Gerveni si përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në NATO.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së komisionit parlamentar për politikën e Jashtme, Kodheli tha se shkarkimi i Gërvenit është bërë në zbatim të plotë të ligjit, pasi dekreti i Presidentit të mëparshëm për të ka mbaruar në mars dhe Presidenti aktual Nishani, sipas saj është njohur me këtë gjë.

“Kam zbatuar vetëm procedurat dhe ligjshmërinë. Është një procedurë krejt normale, në mbarim të dekretit të Presidentit të mëparshëm, që ka mbaruar në rastin e zotërisë në fillim të janarit por që mbaron dhe fizikisht në fund të marsit dhe vetëm kam nxjerrë një urdhër administrativ, në mënyrë që t’i hapet vendi dikujt tjetër për të ardhur. Presidenti ndërkohë vlerëson situatën, është i njoftuar për mbarimin e dekretit të Presidentit të mëparshëm dhe mbarimin e kohës fizike të qëndrimit të përfaqësuesit tonë në NATO dhe besoj se do procedohet rregullisht edhe në këtë rast”, tha ministrja.

Në datën 7 mars ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka nxjerrë një urdhër “Për dorëzim detyre dhe kthim në Atdhe” nga ana e kundëradmiral Kristaq Gërvenit për pozicionin që ai mban prej vitit 2011 si përfaqësuesi ushtarak në misionin tonë në NATO.

Argumenti i ministres ka qenë shkelja e ligjit nga ana e Gërvenit, i cili  ka mbajtur gradën e gabuar në uniformë në një takim të 170 shefave të Mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s.

Nderkohe qe ne nje deklarate per shtyp, shefi i Shtabit te Pergjithshem Jeronim Baze eshte shprehur se, “rastet e mosbindjes ose moszbatimit të urdhrit nga ushtaraku, i cili është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundravajtje penale, ndërkohë që rasti në fjalë ul figurën e ushtarakut dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të ushtarakëve tanë në strukturat e Aleancës”.

Ai i ka kujtuar kunderadmiral Gervenit nenin 2, te kreut te peste te Rregullores se Jetes se Brendshme te Ushtarakut, i cili thote se urdheri nuk diskutohet, por zbatohet me shpejtesi dhe perpikmeri. Ne deklaraten e Shefit te Shtabit thuhet se, “Për ushtarakun në fjalë, eksizton edhe një praktikë tjetër disiplinore, ku Shtabi i Përgjithshëm, në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, ka ndërmarrë propozimet dhe masat përkatëse”. Edhe ne gjykimin e gjeneral Bazos urdhri administrativ per dorëzimin e detyrës te Gervenit nuk cenon kompetencat e Presidentit të Republikës.

Top Channel