Tjetër denoncim i PD, tjetër dorëheqje

24/03/2014 00:00

Një tjetër zyrtar i emëruar pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste ka dhënë dorëheqjen.
Ai është Fisnik Myrtezaj, drejtor i Shërbimeve në Portin e Durrësit.

Emërimi i tij u denoncua paraditen e së henës nga Partia Demokratike, për shkak se në dhjetor 2011, sipas saj, ai ishte dënuar nga gjykata me 3 vjet e gjysmë burg për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Duke denoncuar këtë emërim, PD bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama.

“Rilindja e Edi Ramës është një dështim i madh dhe po rezulton çdo ditë një flluskë elektorale. Por ama rilindja e Edi Ramës për disa militantë, sidomos për ata që kanë pasur probleme me ligjin dhe drejtësinë, po funksionin për së mbari”, tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.

Ky është zyrtari i tretë brenda pak ditësh që largohet nga detyra për shkak të denoncimeve të Partisë Demokratike, e cila gjatë javës së fundit ka bërë përgjegjës kryeministrin për inkriminimin e administratës publike.

Top Channel