Swoboda: Duhet dialog për integrimin

23/03/2014 00:00

Hannes Swoboda deklaroi në një intervistë për TCH se Shqipëria ka bërë shumë reforma, por duhet të ketë një dialog të sinqertë mes pozitës dhe opozitës për të ndihmuar në marrjen e statusit. Megjithatë z. Swoboda nuk e fsheh frikën se BE nuk po shkon – siç thotë ai, – drejt ndjesisë për t’i dhënë shansin Shqipërisë në muajin Qershor.

TCH: Cili është shqetësimi juaj kryesor për Shqipërinë?

Hannes Swoboda, President i S&D në PE: Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë reforma e duhet të vazhdojë me to. Do kisha dashur, që të kishte një dialog më konkret e të sinqertë ndërmjet qeverisë dhe opozitës, çfarë do të ndihmonte Shqipërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit.

TCH: Opozita flet për pjesëmarrje të kushtëzuar në Parlament, ndërsa fajëson qeverinë për mosmarrjen e statusit kandidat në Qershor. Po ju ç’mendoni?

Hannes Swoboda: Unë nuk mendoj se ka arsye për të humbur statusin kandidat. Ndonjëherë kam përshtypjen se tabloja veç është rrotulluar. Ata që mbronin gjithçka tani kritikojnë qeverinë dhe ata që janë në qeveri thonë se gjithçka shkon mirë. Në parim, me informacionin që më është dhënë nga institucionet e BE-së, në mënyrë objektive është bërë shumë progres. Por, sërish, kjo nuk do të thotë se nuk duhet punuar më tej. E di që kryetari i Kuvendit po ndërmjetëson për t’i afruar të dy palët së bashku. Në bisedat me mua, kur isha në Shqipëri pak javë më parë, u tregua se ekziston me të vërtetë shpresa për të dalë nga gjendja kritike, ku vendi qëndroi për një kohë të gjatë. Sigurisht, tani Bashkimi Europian ka të tjera shqetësime dhe kam frikë se unioni nuk po shkon shumë drejt ndjesisë për t’i dhënë shansin Shqipërisë vërtet në Qershor. Por, unë do të lutesha për ta bërë këtë, sepse ne duhet të japim sinjal të qartë, veçanërisht, kur shumë njerëz sot shprehin mendimin se  serbët e morën, sikundër dhe vendet e tjera ku ka ortodoksë, ndërsa shqiptarët nuk e marrin, sepse ata janë pjesërisht muslimanë dhe kjo duhet kapërcyer. Jo, është mbi bazën e meritave të secilit vend dhe jo të besimit fetar apo diçka tjetër. Këto s’kanë kuptim.

TCH: Lideri i opozitës tregoi pas takimit të PPE-së se disa vende anëtare janë të shqetësuara për sjelljet antiligjore të qeverisë. A ju është përcjellë i njëjti shqetësim?

Hannes Swoboda: Unë nuk kam dëgjuar për një shqetësim të tillë dhe nuk i pëlqej njerëzit, që bredhin jashtë vendit për të sharë qeverinë e tyre. Mendoj se kritikat dhe diskutimet duhen bërë brenda Shqipërisë. Asnjë nuk duhet të përdorë ndonjë prej vendeve anëtare të BE-së në këto lloj grindjesh. Të dyja, si qeveria dhe opozita, duhet të mundohen të ulen së bashku në një tryezë, e të bisedojnë përtej çështjeve të tyre. Të bëjnë debat në Parlamentin shqiptar, sepse ai është vendi për debat, dhe të ftojnë vizitorë për të ardhur atje, siç veprova unë. Kjo është shumë më e mirë, se sa të ankohesh jashtë për qeverinë që ke brenda.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel