Stano: Përpjekje për statusin në qershor

23/03/2014 00:00

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano në një deklaratë për Top Channel tha se Shqipëria do të ketë mbështetjen për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor, por ajo varet më së shumti nga përpjeket e saj.

Sipas tij poltika duhet të arrijë patjetër konsuens i cili është përgjegjësi e të dy palave.

Intervista e plotë

Peter Stano, Zëdhënës i KE: Ekziston një perspektivë e qartë për statusin kandidat për Shqipërinë në Qershor, siç u vendos Dhjetorin e kaluar nga vendet anëtare, duke pasur parasysh punën e mëtejshme në këto fusha të rëndësishme, që njihen tashmë nga të gjithë,dhe po i përsëris si: lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, reforma e gjyqësorit, cështja e romëve dhe minoriteteve. Pra puna po vijon dhe kjo është saktësisht dhe arsyeja e dialogut të nivelit të lartë. Ne mundohemi t’u përgjigjemi nevojave të Shqipërisë. Sa më shumë angazhime e përpjekje bën Shqipëria, aq më shumë angazhohemi ne si Komision. Pra ne do të mbajmë një takim paraprak të dialogut të nivelit të lartë në Qershor, bazuar mbi idenë që të ndihmojmë qeverinë dhe Shqipërinë në përgjithësi, që të vijojë me rrugën e saj të anëtarësimit në mënyrë të tillë që vendimi i Qershorit të përkojë me atë që është thënë.

TCH: Sa i rëndësishëm është dialogu politik brenda vendit për statusin kandidat?

Stano: Është shumë i rëndësishëm. Gjithëpërfshirja në proces, fryma e bashkëpunimit dhe kompromisit është shumë e rëndësishme. Komisioneri e theksoi se rritja e konfrontimeve, apo tonet konfrontuese në rritje mes dy kampeve mund të ndikojnë në përpjekjet e Shqipërisë për hapin e radhës në procesin integrues. Kjo jo vetëm që u tha publikisht në dialogun e nivelit të lartë, por u përfshi dhe në konkluzionet e takimit. Këtë e vëmë re jo vetëm ne, por dhe vendet anëtare, sepse në fund janë vendet anëtare ato që do të vlerësojnë se çfarë lloj progresi ka bërë Shqipëria, sidomos partitë politike, në rrugën drejt anëtarësimit. Ato do të shohin se sa dhe se si është përmirësuar kultura politike në parlament. Prandaj, do të përsërisja se është e rëndësishme për të gjitha palët e interesuara në Shqipëri që të jenë në dijeni se ky proces është gjithëpërfshirës dhe kërkon kompromis e bashkëpunim konstruktiv. Kjo është ajo që po vëzhgojnë vendet anëtare dhe Bashkimi Europian në tërësi.

TCH: Opozita thotë se statusi kandidat mund të mos merret në qershor për shkak të qeverisë. A jemi në rrugën e duhur?

Stano: Mendoj se vendet anëtare ishin mjaft të qarta në Dhjetor kur vendosën për perspektivën e posaçme për Shqipërinë se në ç’mënyrë mund të mbërrijë tek statusi kandiat. Rruga është tërësisht e hapur dhe kushtet apo pritshmëritë janë të mirëpërcaktuara. Pritshmëritë janë për të dorëzuar më shumë në fushën e reformave nën frymën e kompromisit dhe gjithëpërfshirjes. Kanë përgjegjësi të gjitha palët për të garantuar që ky ton konfrontues në rritje për shkëmbimet politike të ulet, që të zhvillohet kultura politike brenda parlamentit, dhe kultura politike në dialogun mes aktorëve politik. Ata duhet të bashkëpunojnë në  mënyrë konstruktive, nën frymën e kompromisit, për të gjitha çështjet që paraqiten si sfida për Shqipërinë, sepse ka shumë për të bërë, dhe këto çështje mund të përballen vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse, nëqoftëse bashkëpunohet nën frymën e kompromisit dhe konsensusit. Ky përbën elementin më kryesor për vendimin e vendeve anëtare kur të mblidhen në qershor dhe të analizojnë se çfarë ka dhënë Shqiperia, duke marrë parasysh kulturën, frymën e dialogut dhe kompromisit, si dhe gjurmët e provave për reformat e përcaktuara në fusha si lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reforma e gjyqësorit dhe sundimi  i ligjit.

TCH: Po ndryshimet në administratë, zbatimi i ligjit për shërbimin civil sa ndikon?

Stano: Ligji për shërbimin civil dhe reforma në tërësi u diskutua së fundmi si pjesë e dialogut të nivelit të lartë dhe komisioneri mirëpriti garancitë e qeverisë shqipëtare për të zbatuar pa pengesa këtë ligj, përfshirë marrjen në konsideratë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një ndër pikat më kyçe të bisedimeve për anëtarësim: ligji për shërbimin civil dhe reforma e një shërbimi të tillë.  Ajo që ju duhet si një vend që përgatiteni  potencialisht për  anëtarësimin është një shërbim civil efiçent dhe apolitik, që funksionon në mënyrë efektive dhe siç e kemi thënë qeveria na siguroi dhe shpresojmë se këto garanci do të ndiqen. Të gjitha çështjet e pashqyrtuara do të trajtohen në përputhje me pritshmëritë e europianëve  dhe ligjet e vendit.

TCH: A jeni në dijeni të debatit lidhur me shërbimin serkret dhe si e shihni bashkëpunimin mes institucioneve deri tani?

Stano: Ne jemi të mirëinformuar për gjithçka ndodh në cilindo vend të portofolit tonë dhe sigurisht që i ndjekim zhvillimet sepse këto mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit, për mënyrën se si i plotëson vendi kriteret e duhura. Por nuk është roli ynë që të hyjmë brenda debatit mes institucioneve apo palëve të veçanta. Për ne e rëndësishme është se si funksioni shteti, si miratohen ligjet, çfarë lloj përpjekjesh janë arritur për reformat dhe ajo që themi përgjatë kësaj është se duhet të bëni kujdes me kulturën politike, për mënyrën se si po zhvillohet ajo, dhe të kujdeseni për gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin konstruktiv të të gjithë aktorëve mbi të gjitha çështjet e tjera të pranishme, që nuk janë të pakta. Shqipëria përballet me shumë sfida dhe duhet shumë punë që këto të realizohen.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel