Partia Demokratike ka denoncuar emërimin në krye të Spitalit Rajonal të
Kavajës, të Agron Beut, të një personi sipas saj, i cili është kapur nga
policia me ilaçe pa pullë në vitin 2009.

Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi ka deklaruar se kryeministri Edi Rama tha se shëndetësia do të jetë falas, por në fakt shëndetësia nuk i ka kushtuar asnjëherë kaq shumë shqiptarëve.

“Rilindasi që është emëruar drejtor i spitalit rajonal, Agron Beu, është arrestuar nga policia në vitin 2009 për kontrabandë ilaçesh. Beu ishte mjek kirurg në atë kohë, por kishte dhe një farmaci të tijën. Ai udhëtonte shpesh në Itali, mbushte makinën me ilaçe pa pullë, dhe i tregtonte në farmacinë e tij. Policia në atë kohë e vëzhgoi shumë gjatë aktivitetin e mjekut kirurg, dhe e kapi në flagrancë me medikamente që arrinin shumën 10 mijë euro.

Sot, beu i rilindjes, është bërë Drejtor i Spitalit rajonal. Me këtë rast, ai ka zhvendosur edhe farmacinë që ta ketë më afër aktivitetit të tij, duke e instaluar përballë spitalit. Ju e kuptoni vetë se ku janë të detyruar të blejnë ilace pacientët e këtij rrethi. Kjo është shëndetësia falas e Edi Ramën, kjo është rilindje”, deklaroi Vorpsi.

Top Channel