Muxhahedinët shqiptarë në Siri

21/03/2014 00:00

Pasi grupi hetimor bëri të ditur se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte dijeni dhe ishte nën mbikqyrje të aktivitetit të organizimit të grupeve radikale fetare prej dy vjetësh në Shqipëri, dhe nuk kishte ndërmarre asnjë veprim ndaj tyre, Presidenti i Republikës thirri në takim kreret e institucioneve të sigurisë dhe hetimit në vend.

Në tryezën e Bujar Nishanit janë ulur kreu i SHISH Visho Ajazi, kreu i akuzës Adriatik Llalla dhe ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Njoftimi zyrtar i institucionit të Presidencës thotë se qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së grupeve radikale për dërgimin e qytetarëve shqiptarë në luftën në Siri.

Presidenti Nishani u informua për nismat ligjore që po ndërmerren në mënyrë që në të ardhmen ky fenomen të jetë i ekspozuar ligjërisht në ndihmë të Sigurisë Kombëtare të vendit, thotë Presidenca.

Sipas njoftimit zyrtar presidenti kërkoi  shpejtësi dhe cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Por ajo që ka mbetur e pasqaruar ende është nëse SHISH, që ishte për një kohë të gjatë në dijeni të këtij aktiviteti, kishte informuar më herët apo jo Presidentin që është edhe kreu i Sigurisë Kombëtare?  

Njoftimi zyrtar thotë vetëm që Presidenti ka vlerësuar punën e organeve kompetente  ndaj fenomeneve që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri.

Takimi i presidentit me drejtuesit e institucioneve vjen pasi tetë persona, ndër ta edhe dy imamë të vetëshpallur janë arrestuar për këto veprimtari dhe kur është bërë publik fakti se janë rreth 90 shtetas shqiptarë të dërguar në luftën në Siri, mes të cilëve edhe fëmijë.

Top Channel