Basha: Rama, hiq bllokimin e bulevardit

21/03/2014 00:00

‘Hiq dorë nga bllokimi dhe lufta politike kundër Bashkisë së Tiranës! Po
lufton qytetarët e këtij qyteti, po lufton mirëqenien e tyre, po lufton
veprat që u shërbejnë atyre. Hiq dorë, sa nuk është vonë, përndryshe
qytetarët e Tiranës, qytetarët e gjithë Shqipërisë do të dinë fare mirë
t’i japin atë që meriton’.

Ka qenë kjo thirrja që kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka bërë Kryeministrit Edi Rama, një ditë pasi Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar bllokoi punimet në bulevardin e ri. Vendimi për bllokimin e punimeve erdhi pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi masën e bllokimit të bulevardit që INUK bëri pak javë më parë.

“Ishte një shfaqje tërësisht jo europiane, bllokimi i bulevardit të Tiranës. Është bllokimi i fundit, në serinë e bllokimeve që Edi Rama i bën Bashkisë së Tiranës, të cilën vetë e ka udhëhequr për 11 vite, si kryetar i Bashkisë. Bllokimi u vlen vetëm atyre që nuk kanë ofertë për qytetarët e Tiranës, nuk kanë ofertë për qytetarët e Shqipërisë, u vlen atyre që nuk kanë asnjë punë për të treguar dhe që xhelozohen me punët e tjera të mira që po kryhen”, tha Basha.

Këto deklarata kryebashkiaku Basha i bëri gjatë përurimit të rikonstruksionit të rrugës së ‘Kokonozëve’, një investim prej 79.4 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës.

Top Channel