Projektligji për ish-të përndjekurit

20/03/2014 00:00

Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi në Parlament se, megjithë gropën financiare ku e la qeveria e djathtë vendin, këtë vit është parashikuar fondi më i madh në 20 vjet për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, shtresa për të cilat ai foli pasi kreu i republikanëve Fatmir Mediu, i vetmi që qëndroi në sallë pas largimit të kolegëve të djathtë, akuzoi qeverinë se i ka lënë këto kategori në harresë.

“A ka ndonjë sipërfaqe të parashikuar nga qeveria për pronarët e ligjshëm për t’u kompensuar fizikisht? Deri tani jo. Qeveria e sotme me një vendim të saj heq nga Fondi i Kompensimit rreth 18 mijë hektarë për ta shitur me një euro, duke u hequr çdo shpresë për kompensim fizik pronarëve”, deklaroi Mediu.

“Keni kthyer Shqipërinë dy herë si pronë. Keni njohur prona sa në të gjithë Ballkanin, keni futur në konflikte pa fund shqiptarët. Vrasjet për arsye të pronës në vite janë mbi 8 mijë”, replikoi Rama.

Ndërsa e vuri theksin tek ajo që e cilësoi “katrahura legjislative” me pronat dhe ish-të përndjekurit nga qeveritë e djathta, Edi Rama tha se ajo që të majtët në pushtet po bëjnë është vendosja e drejtësisë për ta, pasi janë trajtuar në mënyrë klanore dhe selektive nga qeveria e djathtë.

“Po japim ekzaktësisht paratë për ata që nuk kanë prekur një kokërr leku, edhe pse nga verifikimi juaj kanë dalë si të përndjekur politik, jo nga verifikimi ynë”, deklaroi Rama.

“Përsa i përket të përndjekurve politikë, unë jam nga ata që kam qenë në atë pjesë të politikanëve shqiptarë që në 91, në grevë urie me ta në Fier, edhe kur e bënë në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike. Kam qënë në anën e tyre jo sepse duan lëmoshe, por sepse duan të drejtën, se kanë shumë më tepër dinjitet dhe nuk janë nga ajo lloj pjese e shoqërisë shqiptare që presin që t’i vajtojnë persekutorët e tyre”, tha Mediu.

“Bëni sikur keni vuajtur në kohën e komunizmit? Ju jeni vuajtja e madhe e gjithë atyre që juve ju kanë dhënë votën, e gjithë atyre që ju kanë besuar se do u jepnit pronat, e gjithë që keni arritur t’i gënjeni me sukses”, vijoi Rama.

Ish-të përndjekurit në protestë para Parlamentit

Në një kohë kur në Parlament pritej të diskutohej projektligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, jashtë ambjenteve të Kuvendit kanë protestuar ish-të burgosurit politikë.

Bashkë me ta kanë qenë edhe qytetarë që pretendojnë se janë shkarkuar nga puna për motive politike, pas ndryshimit të qeverisë.

Mes protestuesve ka patur tensione, çka ka bërë që policia të ndërhyjë. Të larguarit nga puna kanë theksuar se kjo është protesta e tyre, për të cilën ata kanë marrë leje në polici.

Nga ana tjetër, ish-të burgosurit politikë kanë këmbengulur në kauzën e tyre duke theksuar se nuk mund të ketë më vonesa në dëmshpërblimin e tyre për vuajtjet gjatë regjimit komunist.

Top Channel