F1, Hamilton: Moti na e vështirësoi punën

15/03/2014 00:00

Lewis Hamilton, piloti që do të niset i pari në Cmimin e Madh të Australisë, deklaroi se provat zyrtare u vështirësuan shumë nga shiu.

“Kushtet na e bënë shumë të vështirë. Na u desh të ndryshonim shumë gjëra, por u zbavita. Shpresoj që koha të jetë më e mirë nesër, për spektatorët dhe për ne pilotët”, tha britaniku i Mercedesit.

“Po bëhet një fundjavë interesante dhe e vështirë njëkohësisht, por jam i kënaqur me punën e skuadrës. Këto makina janë më të vështira për t’u pilotuar në të lagur”, shtoi Hamilton.

Kampioni i Formulës 1 në vitin 2008 vlerësoi edhe performancën e Daniel Ricciardos, pilotit të ri të Red Bullit: “Bëri një punë shumë të mirë me gomat e mesme.”

Gara e parë e sezonit të Formulës 1 do të zhvillohet të dielën në orën 07:00 dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel