Ka filluar me qytetin e Lezhës turi i konsultimeve publike për reformën administrativo-territoriale, që do të përcaktojë ndarjen e re administrative të vendit.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i shoqëruar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Bashkim Fino, u takuan me mbi 100 pjesëmarrës, përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, drejtues të forcave politike, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe qytetarë.

Ata kërkuan tejkalimin e ndasive politike dhe bashkëpunimin e opozitës për realizimin e reformës.

“Në këtë vend u mblodhën shqiptarë të mençur dhe krijuan Besëlidhjen e Lezhës. Nuk e ekzagjeroj po të them se edhe sot kemi nevojë për një bashkim të tillë. Kemi nevojë të shkojmë përtej interesave vetjake të momentit, përtej interesave të ngushta partiake dhe të punojmë së bashku për të kryer një reformë të thellë administrativo-territoriale, e cila do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore punën dhe dobinë e njësive të qeverisjes vendore për përfitime më të mëdha”, tha Bledi Çuçi, ministër i Shtetit për Çështjet Vendore.

“Ne kërkojmë me insistim që opozita të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje, sepse kemi mundësitë që bashkë me opozitën, nëse kemi mundësinë dhe dëshirën, të ndryshojmë edhe Kushtetutën. Reforma fillon dhe bëhet e plotë dhe nuk mund të bëhet gjysmake”, u shpreh Bashkim Fino, deputet i PS.

Takime mbi reformën administrativo-territoriale do të zhvillohen në 12 qarqe dhe qytetet kryesore të vendit. Ministri Çuçi do të informojë të pranishmit mbi nevojën e reformës dhe përfitimet, që burojnë prej saj. Po ashtu do të diskutohen edhe kriteret teknike, që do të përdoren për ndarjen adminstrativo-territoriale të vendit.

Top Channel