Fajon: Drejtësi për 21 janarin

14/03/2014 00:00

Debati për vënien e drejtësisë mbi vrasjet e 21 Janarit u hap nga
eurodeputetja Tanja Fajon, e cila insistoi të lexonte në sallë një
pjesë  të letrës së dërguar nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të
ndjerit Aleks Nika.

Raportuesi kroat Vuljaniç e mbështeti nismën që Komiteti të hartonte një amendament të posaçëm për përshpejtimin e proçesit gjyqësor

“Më lejoni t’ju lexoj një paragraf të letrës së kësaj zonje sepse unë besoj se zëri i saj duhet të dëgjohet si e dhënë për këtë institucion, e po ashtu edhe për kolegët tanë që nuk janë këtu sot, pasi është mjaft prekëse e unë dua të shoh se ato të shtëna për protestën e 3 viteve më parë nuk do të harrohen.  Ajo na shkruan neve: “Në vendin tim kurdo që dëgjoj për reformë të sistemit gjyqësor, loti pikon nga sytë e mi dhe pyes veten: Çfarë lloj sistemi gjyqësor është ai që nuk zgjidh dot krimin më të madh të bërë në mes të ditës?! Atë ditë, kur Aleksi im dhe tre të tjerë u vranë në qendër të Tiranës, vetëm pse ata protestonin kundër korrupsionit të Qeverisë.” Edhe një herë, nëse keni qëllime të mira e të sinqerta për të  luftuar korrupsionin, krimin e organizuar e fenomene të ngjashme, atëherë mos lejoni që 21 Janari 2011 të kthehet në një farsë pa protestuesë. Është vërtet e rëndësishme që të vijoni hetimet për të sjellë drejtësinë mbi këtë çështje, në mënyrë që sistemi i drejtësisë shqipëtare të bëhet i besueshëm”, tha Fajon.

“Për vrasjet e 21 Janarit, sepse ato janë vrasje, njerëzit u vranë në mes të ditës, përpara zyrës së Kryeministrit. Kam dëgjuar një shprehje të tmerrshme këtu sot, që “të gjithë e dinë këtë!”. Të gjithë këtu e dinë, e të gjithë në Shqipëri e dinë, dhe asgjë nuk po bëhet. Thjeshtë, s’mund të jetë kështu! A e imagjinoni dot sikur të vritej një zyrtar shteti apo partie atë ditë atje? Jam gati i sigurtë se fajtori do të ishte në burg brenda 2-3 muajve më së shumti, e mundësisht brenda 2-3 javëve. Kanë kaluar 3 vjet. Familjarët e të vrarëve, e përsëris janë vrarë sepse s’ka patur plumba që qarkullonin në ajër e veç sa qëlluan dikë, por janë 4 të vrarë dhe familjarët e tyre janë të dëshpëruar. Ata nuk besojnë tek gjyqsori, nuk besojnë tek vendi i tyre, nuk besojnë më në asgjë, e kanë njëfarë të drejte”, u shpreh Nikola Vuljanic, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

“Unë do të propozoja që kjo nevojë për të proçeduar në mënyrë më të shpejtë me procesin gjyqësor, që është bllokuar në njëfarë mënyre, të përmendet në amendamentet tona, sigurisht nëse e mbështet dhe opozita këtë çështje. Dua t’ju bëj me dije se sigurisht që Qeveria dhe mazhoranca kanë mjaft vullnet për të vijuar procesin e këtij rasti të famshëm. Por,siç u shpreha dhe mbrëmë, edhe për këtë rast opozita thotë se është me dritë të kuqe, e kur flasim këtu për dritat e kuqe, nuk është diçka që e themi ne, por ata. Janë ata që vendosin drita të kuqe për raste të gjykatës apo prokurorisë, siç është dhe ky rast”, tha deputeti i PS-së, Ben Blushi.

“Nuk mund të fokusohemi veç në pjesën e fundit të zhvillimeve, duke harruar se nuk ishte një OJQ, apo grup radikal, por partia më e madhe e opozitës, sot në qeveri, që thirri protestën për të sulmuar kryeministrinë. Po të ndodhte në vendin tuaj, cili do qe reagimi. Askush nuk donte të vriste asnjë dhe nuk ishte kjo.. PS pati më shumê se një mijë protesta në 4 vitet e fundit e nuk pati asnjë incident. A prisni ju që kjo shumicë e re mes dy njerëzve që akuzuan njëri tjetrin në një mënyrë kaq të egër dhe ekstreme, përfaqëson një vullnet të qartë për të luftuar korrupsionin? Pra, zoti Rama do luftojë korrupsionin ndaj zotit Meta që e mban në qeveri? Mendoj se është hipokrite dhe për të qeshur”, tha deputeti democrat Aldo Bumçi.

Mazhoranca dhe opozita shqyrtojnë sërish të martën,në Tiranë, amendamentin e propozuar mbi gjykimin për 4 të vrarët e 21 Janarit.

Përgatiti ARTA TOZAJ

Top Channel