Statusi në qershor, Franca optimiste

13/03/2014 00:00

Presidenti i Senatit Francez, Zhan Pier Bel, në një intervistë ekskluzive për Top Channel thotë se është optimist se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor.

Franca u rreshtua në vendet kryesore që kërkuan shtyrjen e statusit. Por Bel thotë se është i entuziazmuar nga zhvillimet e reja politike. Ai thotë se konsensusi është një gjë e mirë për imazhin e jashtëm të Shqipërisë, por qeveria që ka marrë një maxhorancë kaq të madhe votash në 23 qershor, ka përgjegjësinë që i kanë dhënë zgjedhësit për të shtyrë përpara reformat e mëdha.

Me presidentin e Senatit francez Zhan Pier Bel bisedoi Sokol Balla.

Sokol Balla: Zoti President cili është mendimi juaj për zhvillimet politike të fundit në Shqipëri?

Zhan Pier Bel, president i Senatit francez:
Nuk dua të ndërhyj në debatet politike shqiptare, por mendoj se kemi të bëjmë me një situatë në përputhje me një vend demokratik, ku kemi një shumicë me mjete të mjaftueshme për të ndërmarrë reformat dhe një opozitë që duhet të luajë rolin e saj si opozitë. Në sitemin demokratik kjo gjë është shumë e natyrshme. Ajo që duhet është që në sistemin politik të brendshëm, është që njerëzit të kenë përshtypjen që institucionet funksionojnë. Në demokraci ka vend edhe për opozitën. Duhet që institucionet të funksionojnë, duhet që shqiptarët të kuptojnë se cilat janë sfidat e mëdha që shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike.

Top Channel