PD: Mazhoranca kërkon kontrollin e SHISH

13/03/2014 00:00

Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Flamur Noka u shpreh se, “kërkesa e paraqitur nga maxhoranca të enjten pranë Komisionit të Sigurisë për kontrollin e Shërbimit Informativ Shtetëror është tërësisht e pabazuar në ligj”.

Numri dy i këtij Komisioni, e cilëson një akt të paprecedentë marrëzie dhe vazhdon më tej në deklaratë të shprehet se “ është përpjekje për të dhunuar dhe vënë nën kontroll partiak institucionet e pavarura, si SHISH dhe që cënon dhe trondit sigurinë kombëtare”.

Në qendrimet e tij në lidhje me thirrjen e shefit të SHISH në këtë Komision, deputeti i Partisë Demokratike është shprehur edhe më herët se kreut të shërbimit sekret shqiptar nuk mund t’i kërkohet certifikatë sigurie.

Pasi nuk u lejua të raportojë në këtë komision për mungesën e certifikatës, në emër të opozitës, Noka u shpreh se, “gjithcka ishte vepër e maxhorancës për t’i bërë bisht të vërtetës”.

Kërkesa për të kontrolluar SHISH-in
Ligjshmëria e veprimeve të shërbimit dhe përgjimi i drejtuesve të policisë

Mazhoranca zyrtarizoi nismën për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputetët socialistë kërkojnë ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor, që do të kontrollojë nga afër ligjshmërinë e veprimeve të SHISH, si dhe udhëzimin për përgjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ilir Paço: Zoti Lutaj, cili është thelbi i nismës së mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për të kontrolluar veprimtarinë e SHISH-it?

Pirro Lutaj, deputet i Partisë Socialiste: Dua të sqaroj se nuk ka një nismë të re. Për të qenë të saktë, në bazë të rregullores së Kuvendit, çdo deputet mund të depozitojë në komision një kërkesë apo shqetësim në lidhje me një institucion të caktuar.

Ilir Paço: Besoj jeni njohur me qëndrimin e Partisë Demokratike që e ka kundërshtuar këtë nismë dhe e cilëson përpjekje për të vënë nën kontroll partiak SHISH-in. A është i ligjshëm ky kontroll? Sipas cilës bazë ligjore e keni kërkuar ju?

Pirro Lutaj: Nuk është hera e parë që demokratët kundërshtojnë ato që kanë shkruar vetë gjatë qeverisjes së tyre. Ne i referohem nenit 102 të rregullores së Kuvendit, rregullore e miratuar në vitin 2009.
 
Ilir Paço: Duke qenë se keni lëshuar akuza ndaj SHISH-it dhe kreut të tij për mosbashkëpunim për shpërthimet me tritol, por edhe për përgjimin e drejtuesve të policisë, kjo nismë synon shkarkimin e Visho Ajazit?

Pirro Lutaj: Kompetencat e komisionit parlamentar hetimor shkojnë deri në verifikimin e problematikës. Këtu nuk ka asnjë veprim paragjykues. Thjesht nuk mund të pranojmë që SHISH-i të shmanget nga misioni i tij.
Në lidhje me certifikatën e sigurisë, dua të sqaroj se kërkohet domosdoshmërisht pajisja me certifikatë edhe e drejtorit të SHISH-it, kjo sipas vendimit të qeverisë së vitit 2007.

Top Channel