Kaçin: Statusi i rëndësishëm, por jo gjithçka

13/03/2014 00:00

Në Strasburg po zhvillohet takimi dyditor i Komitetit të Shtatë Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë.

Në fjalën e tij numri dy i delegacionit të PE për Europën Juglindore, Jelko Kaçin theksoi se marrja e statusit kandidat është i rëndësishëm për Shqipërinë, po jo gjithçka.

Sipas tij ambiciet e vendit duhet të shkojnë përtej këtij objektivi, duke vijuar përpara me reformat.

Ndërkohë, eurodeputetja holandeze Maria Cornelisen theksoi se nuk ishin ekstremistët dhe islamofobia që bllokuan statusin për Shqipërinë në dhjetor.

Komiteti i MSA, Opozita: Po rrezikojmë statusin

Deputetët e Partisë Demokratike Majlinda Bregu, Eduard Halimi dhe Aldo
Bumçi mbajtën fjalën e tyre në Komitetin e MSA-së që po zhvillohet në
Strasburg.

Deputetja Bregu u shpreh se Qeveria duhet t’i qëndrojë standardeve europiane dhe kritereve të Kopenhagenit, ndërsa shprehu se opozita do ta mbeshtesë Qeverinë, nëse respekton standardet.

“Nëse Qeveria nuk ndryshon kam frikë se do të humbasim përsëri statusin në qershor”, tha Bregu.

Ndërsa deputeti Halimi ngriti shqetësimin për paketën Antimafia, duke akuzuar Qeverinë se po gënjen lidhur me këtë cështje, duke theksuar se paketa sulmon kundërshtarët politikë dhe intimidon institucionet e pavarura.

“Rama nuk lufton korrupsionin, por kap institucionet e pavarura”, tha Halimi.

Deputeti Bumçi preku çështjen e 21 janarit dhe theksoi se nxitësit dhe autorët e dhunës në këtë ngjarje duhet të dënohen.

“Ka qenë Rama ai që në 21 janar donte pushtimin e Kryeministrisë. Ne duam që të dënohen organizatorët dhe autorët e dhunës më 21 janar”, u shpreh Bumçi.

Top Channel