“Rama të ndalojë bllokimin”

07/03/2014 00:00

Bashkia e Tiranës i bëri thirrje qeverisë të heqë bllokimin që i ka bërë punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Kryeqytetit.

Nënkryetari Enno Bozdo deklaroi se kryeministri Rama i ka shpallur lufte politikë Bashkisë, duke u justifikuar në emër të interesave të qytetarëve, ai po dëmton pikërisht interesat e qytetarëve.

“Dje zoti Rama na ktheu në kohërat e para viteve ’90 duke urdhëruar në emër të popullit punimet për Bulevardin. Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar për qytetarët, ai ka të gjitha atributet për të ndryshuar cmimet e shpronësimeve. Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar qytetarët, nuk do të bllokonte për 2 muaj buxhetin e Bashkisë, nuk do të bllokonte as shpronësimet për varrezat publike, as kreditë për të pastrehët si dhe vendime të tjera që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Edhe njëherë tjetër i bëjmë thirrje zotit Rama t’i kthejë mercenarët e tritolit brenda gardhit të tij dhe të ndalë luftën politike ndaj Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës është e vendosur t’i shërbejë qytetarëve dhe askush nuk do të dalë mbi ligjin dhe interesat e zhvillimit të kryeqytetit të shqiptarëve”, deklaroi zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Top Channel