Ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning e cilësoi profesionale teknikën e planifikuar për ndarjen e re administrative. Por në takimin me ministrin e Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi dhe përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në këtë organizatë, ai tha se procesi, përveç aspektit teknik, ka edhe atë politik, ku nevojitet konsensusi.

“Është një reformë mbarëkombëtare që përfshin të gjithë territorin e Shqipërisë, ndaj dhe duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës ku të përfshihen të gjithë aktorët. Janë dy rryma: ajo teknike, ku kërkohet zbatimi i reformës; dhe politike, ku duhet të jetë një konsensus dhe një pjesëmarrje e të gjithë aktorëve”, deklaroi Rauning.

“Unë i garantova ambasadorët që kjo është një nga reformat më të rëndësishme dhe i garantova ata për vullnetin e palëkundur të qeverisë, e cila mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën, pasi ajo duhet të jetë pjesë e kësaj reforme”, tha nga ana tjetër ministri Çuçi.

Fino: Të ndryshojë Kushtetuta

Meksi: Të korrigjohet edhe Kodi, të bëhet proporcional kombëtar

Për të njëjtën çeshtje, por në një tjetër aktivitet, bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën administrative, Bashkim Fino deklaroi se për të duhet të ndërhyet në Kushtetutë.

“Reforma duhet të bëhet me të gjitha partitë, që pak a shumë të mbeten të gjitha të kënaqura, madje edhe minoritetet”, deklaroi Fino.

“Reforma duhet të shoqërohet me ligjin për decentralizimin, ndryshe kot që po e bëjmë”, tha ish-kryeministri Ylli Bufi.

Ndërsa një tjetër ish-kryeminister, Aleksandër Meksi propozoi që për t’i hequr çdo dyshim opozitës se ndarja e re administrative do të përdoret politikisht për zgjedhjet, reforma duhet të shoqërohet me ndërhyrje në ligjin elektoral, për të bërë të paktën rregullimin e sistemit.

“Ne të mos ndërhyjmë në të gjithë ligjin zgjedhor. Të vendoset korrektimi kombëtar për të hequr çdo frikë se do të përdoret ndarja e re e vendit”, deklaroi Meksi.

Reforma administrative, me gjithë ambicjen për t’u përmbyllur brenda këtij sesioni parlamentar, përveç konsultimeve publike vijon të mbetet e bllokuar në Kuvend. Opozita ka refuzuar pjesëmarrjen, duke vendosur si kusht rikthimin e besimit nga ana e mazhorancës te konsesusi me të.

Top Channel