Fule: Jeni në udhën drejt statusit

06/03/2014 00:00

Për më shumë se dy orë gjatë dialogut të dytë të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe BE-së, ministrat e kabinetit Rama kanë raportuar me detaje se çfarë është realizuar deri më tani në lidhje me pesë prioritetet.

Ndryshe nga dialogu i parë i nivelit të lartë ku opozita përfaqësohej vetëm nga kryetarja e komisionit parlamentar të integrimit Majlinda Bregu, në dialogun e dytë në krah të saj ishin edhe deputetët Halimi e Ristani.

Pas çdo raportimi të ministrave ata kanë dhënë opinionet e tyre duke ngritur shqetësimet e njohura të opozitës për ligjin e nëpunësit civil dhe çështje të tjera.

Bashkëdrejtuesit e këtij dialogu, kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Fule dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, nga ku shefi i qeverisë shqiptare e quajti dialogun një tyezë e cila mblodhi palët dhe mbipalët, duke shprehur edhe një falenderim të posaçëm për kryetaren e komisionit të integrimit, zonjën Bregu.

“Ne kemi përcaktuar në bashkëpunim të ngushtë me KE-në ato 5 prioritete kryesore që për ne janë 5 shtysa shumë të forta në këtë fazë të procesit të integrimit. Nëse një nga disfatat tona në të shkuarën ka qenë mungesa e bashkëpunimit në tërësi, sot sfida kryesore është bashkëpunimi politik. Pakënaqësia për mosmarrjen e statusit në dhjetor nuk ka ndikuar negativisht. Përkundrazi, ajo ka ndikuar pozitivisht që ne të ecim përpara për ta konsoliduar rezultatin impresionues për partnerët tanë, me këtë punë që kemi bërë në këto muaj”, deklaroi Rama.

Gjatë këtij dialogu, tha Fule, kemi mbledhur të dhëna se çfarë është arritur deri më tani. “Kam theksuar se konfrontimi nuk e ndihmon integrimin e vendit në BE, prandaj nevojitet thellimi i kulturës së bashkëpunimit në Parlament, pasi kjo do të lejojë ecjen përpara të vendit. Pas kësaj seance të dytë të dialogut të lartë jam akoma më i bindur që, si qeveria ashtu edhe opozita mbeten të përkushtuara për integrimin. Dëshiroj t’u bëj thirrje të dyja palëve që të demostrojnë frymë kompromisi dhe gjithëpërfshirjeje në të punuarit së bashku dhe në mënyrë efikase për t’u bërë ballë sfidave të inegrimit. Unë e kam vlerësuar punën që është bërë tashmë në lidhje me prioritetet kyce dhe e shoh që ky historik, siç quhet në anglisht “track record”, po bëhet gjithnjë dhe më i besueshëm. Të vazhduarit në këtë drejtim siç është punuar deri më tani, Shqipëria është duke krjijuar kushtet e duhura për shtetet antare që në qershor të vendosnin për statusin e vendit kandidat. Merr rëndësi vijimi asaj çfarë është bërë deri më tani”, deklaroi Fule.

Ky ishte komenti komisionerit Fule, i pyetur për deklaratat e ashpra në adresë të tij dy ditë më parë nga ish-kryeministri Berisha. “Unë nuk jam në listën e miqve të zotit Berisha në Facebook por ju siguroj se jam mik i Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Kaq mund t’ju them për atë artikull, i cili për mendimin tim ishte fals dhe i pabazuar”, u shpreh Fule.

Deputetja e opozitës, Majlinda Bregu shprehu nga ana e saj këtë qëndrim: “Në nivelin e takimit të lartë ne kemi folur për atë çfarë po ndodh sot në Shqipëri dhe përsëris duke shprehur bindjen tonë se qershori duhet të jetë data kur Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Kemi shprehur angazhimin tonë për të mbështetur qeverinë në çdo reformë që ka të bëjë me procesin e integrimit dhe ndihmon që ky proces të eci përpara. Por kjo nuk do të thotë, dhe nuk besoj, që ky nuk është as standart europian dhe as kriter i Kopenhagenit, të fshehësh faktet dhe çka po ndodh me shkeljen e Kushtetetutës dhe ligjeve. Përkeqësimi i zbatimit të standardeve europiane nuk e ndihmon Shqipërinë dhe nuk e çon askund”, tha Bregu.

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule paralajmëroi zhvillimin e një dialogu të tretë të nivelit të lartë Shqipëri-BE në fillim të qershorit.

Top Channel