Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka pritur homologun e tij italian, Giorgio Napolitano. Pas takimit kokë më kokë, dy krerët e shteteve kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Zoti Napolitano shprehu mbështetje të plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe premtoi se vendi i tij do të jetë avokat dhe shtytës, për realizimin sa më të shpejt të këtij procesi.

“Duam të vazhdojmë të jemi avokatët e Shqipërisë dhe, sigurisht, gjëja më e rëndësishme për një avokat është të mos e humbë kauzën. Ndaj dhe ne jemi të bindur, që do të arrijmë të fitojmë kauzën dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pas anëtarësimit të saj në NATO. Është një vendim, që duhet të merret sërish dhe pa vonesa të tjera, që është dhënia e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave, e më pas do të kemi mundësi të bëjmë rolin tonë në periudhën kur do të marrim Presidencën e radhës, që do të fillojë më 1 Korrik të këtij viti, pas përfundimit të asaj greke. Pra, dy vendeve fqinje dhe miq të Shqipërisë, që pasojnë njëra-tjetrën në drejtimin e institucioneve europiane në 2014-n”, tha presidenti italian Napolitano.

Ndërkohë, presidenti i Republikës Nishani e vuri theksin te rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorët më prioritarë të ekonomisë.

“Ne kemi vullnetin për të forcuar dhe për të thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Duhet të intensifikojmë dialogun politik nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet, e veçanërisht në ato të nivelit të lartë. Italia është një partner kyç dhe mjaft i rëndësishëm në fushën ekonomike. Shprehja e interesit për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe rritur shkëmbimin tregtar, për të promovuar investimet italiane në Shqipëri, për të ftuar kompanitë e njohura italiane të investojnë në vendin tonë, në fusha si infrastruktura, turizmi, energjitika, shërbimet, fasoneria, etj.”, deklaroi presidenti Nishani.

Presidenti i Republikës së Italisë, Napolitano, është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Rama dhe presidenti Napolitano nënvizuan se miqësia mes dy popujve, që i bashkon jo vetëm afërsia gjeografike, por edhe afërsia kulturore dhe interesat e përbashkëta si dy vende fqinje, përbën një bazë të fortë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

Kryeministri Rama theksoi se mbi këto themele dhe konsiderimin e Italisë si një partner kyç, ndërmori disa vizita në Itali me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri.

Në Pallatin e Brigadave, presidenti Napolitano është dekoruar nga homologu i tij shqiptar Nishani, me “Urdhrin e Flamurit”.

“Emigrantët, model suksesi”

I vlerësuar nga kryeparlamentari Meta si përfaqësuesi i një shteti mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë, Giorgio Napolitano  mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën e posacme për nder të vizitës së tij.

Me një prezencë të pothuaj të gjithë deputetëve të të gjitha krahëve, Presidentit të Republikës e drejtuesve të institucioneve, fjalimi rreth 20 minuta i presidentit të Italisë u duartrokit disa herë, sa herë që ai i mëshoi mesazhit se Shqipëria e ka vendin në Europë, e cila ka bërë shumë për të, por që në bindjen e Napolitano-s, po aq do të bëjë edhe Shqipëria për unionin.

Kreu i shtetit italian vuri theksin  të marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e padiskutueshme mes dy fqinjëve, ku Napolitano artikuloi disa prej vlerave më të mëdha të popullit shqiptar, nga kontributi i emigrantëve tanë në Itali këto vitet e fundit si model suksesi dhe zhvillimi, deri tek koha e largët e Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u dha strehë hebrenjve, por ndihmoi edhe ushtarët italianë pavarësisht se ata mbërritën këtu si agresorë dhe pushtues tha ai.

Ndërsa një pjesë të madhe të fjalimit të tij, presidenti italian ia kushtoi krizës europiane, ai shtoi se marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë do të jenë më të ngushta në kuadër edhe të projektit gazsjellës TAP.

Duke inkurajuar institucionet shqiptare të vijojnë me  këmbëngulje reformat dhe popullin shqiptar në rrugën e integrimit, presidenti italian bëri jo vetëm një urim për Shqipërinë, por dha edhe një mesazh për institucionet e BE.

“Udha europiane është shndërruar në një objektiv të të gjitha forcave politike. Besoj se është detyrë e institucioneve evropiane të realizojnë këtë objektiv. Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta celë presidencën me Shqipërinë e pranuar nga BE si vend kandidat”, tha ai.

Fjala në parlament e kreut të shtetit italian në parlament u parapri nga takimi i tij me kreun e Kuvendit Ilir Meta, i cili falenderoi kreun e vendit fqinj për mbështetjen e madhe që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë dhe procesit të saj integrues.

Presidenti italian edhe në këtë takim deklaroi mbështetje të plotë të Italisë për rrugëtimin europian të vendit tonë, rrugëtim nëpër të cilin, sipas Metës dhe Napolitano-s, Shqipëria dhe Italia vetëm do të konsolidojnë më tej marrëdhëniet shumë të mira mes tyre.

Top Channel