Butrinti për kompensim ish-pronarëve

05/03/2014 00:00

Qeveria ‘Berisha’, në muajt e fundit të funksionit të saj u ka kthyer
për kompensim pronarëve, territore në Parkun e Butrintit dhe ishujt e
Ksamilit.

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka denoncuar këto veprime, që sipas tyre, dëshmojnë për nivelin e lartë të korrupsionit dhe shkeljes flagrante të ligjit.

“Parku Kombëtar i Butrintit, i njohur si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, i shpallur si Park Kombëtar në vitin 2000, iu është kthyer si pronë disa pronarëve privatë në muajt e fundit të qeverisjes ‘Berisha’. Me lidhje interesash familjare të ish-zyrtarëve të lartë dhe përfituesve të këtij kompensimi, me dokumenta të dyshimta, një pjesë e madhe e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe respektivisht në zonën e njohur si Kanali i Butrintit, liqeni i Butrintit deri në detin Jon, duke përfshirë në këtë vendim edhe ishujt e njohur të Ksamilit, janë njohur si tokë në kompensim”, tha Arben Bicoku, nga Forumi per Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore.
 
Forumi i Mbrojtjes së Trashegimise Kulturore kerkon qe te anulohen menjëherë vendimet për kompensimin e pronarëve në territoret e lartpërmendura, si dhe Prokuroria të nisë procedurat për hetimin e këtij korrupsioni.

“Forumi i Trashëgimisë, i cili për një kohë të gjatë ka denoncuar rastet e dëmtimeve të trashëgimisë sonë të përbashkët, denoncon sot me forcë këtë akt të rëndë, kundër trashëgimisë kombëtare dhe kërkon nga Qeveria ‘Rama’ të anulojë këtë vendim. Gjithashtu i bëjmë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hapë hetimet për këtë çështje, duke nxjerrë përpara drejtësisë ata që kanë falsifikuar dokumentet, apo kanë thyer ligjet shqiptare për zonën e mbrojtur të Butrintit. Dëshirojmë të bëjmë me dije opinionin publik, se rasti ‘Butrinti’ tregon qartë korrupsionin e madh që është bërë me çështjet e pronave, duke dëmtuar rëndë në shumë raste dhe trashëgiminë kulturore kombëtare”, tha Biçoku.

Parku i Butrinit eshte i mbrojtur nga nje sere ligjesh dhe konventash nderkombetare, te cilat Qeveria shqiptare ndonese i ka ratifikuar edhe i ka shkelur ato.

Top Channel