Konsultimet për Gjykatësin e Lartë

04/03/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vijuar takimet këshillimore me
krerët e grupeve parlamentare lidhur me plotësimin e një vendi në
Gjykatën e Lartë, si pasojë e vakancës së krijuar nga përfundimi i
mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani.

Kreu i grupit parlamentar te Partise Socialiste Gramoz Ruçi, i cilesoi jo produktive konsultimet. Sipas tij e drejta e presidentit per te propozuar kandidate me te drejten e parlamentit per t’i votuar duhet te jete bashkëpunuese, çka siç ai theksoi nuk ka ndodhur.

“Ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese të bërë në kohën që ne kemi qenë në opozitë, kështu që fryma e diskutimit nuk ishte në kuadrin e intepretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese lidhur me raportet e institucionit të Presidentit me Parlamentin. Kështu që e kuptuar dhe e intepretuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se e drejta kushtetuese e Presidentit për të propozuar me të drejtën e Parlamentit për ta votuar duhet të jetë shumë bashkëpunuese. Për fat të keq, edhe kësaj radhe, nuk ishte bashkëpunuese”, tha Ruçi.

Nderkohe kreu i grupit parlamentar te Partise Demokratike Edi Paloka u shpreh ne mbeshtetje te kreut te shtetit, duke akuzuar Qeverine dhe ne veçanti Partine Socialiste se kane nisur nje lufte me zotin Nishani dhe te gjitha institucionet e tjera te pavarura. 

“Nuk pres gjë tjetër nga zoti Ruçi. Lufta me presidentin është e hapur. Nuk ka lidhje as me kandidaturat për Gjykata, as me emrat, as me konsultimet, është një luftë që ka nisur hapur ndaj gjithë institucioneve dhe vecanërisht ndaj presidentit. Kështu që unë personalisht kam bindjen që edhe të tjerët në Partinë Demokratike nuk presin që Ruçi apo Rama të bien dakord me Presidentin për asgjë. Për mua nuk ka lidhje as me emrat as me kriteret është thjesht një luftë që i bëhet Presidentit nga kjo maxhorancë”, tha Paloka.

Presidenti i Republikes eshte takuar ne perfundim edhe me kryetarin e grupit te trete parlamentar, zotin Petrit Vasili.

“Do të ishte më korrekte që të gjitha vakancat të plotësoheshin njëherazi, sepse ne kemi edhe dy vakanca të tjera që kanë ndodhur si pasojë e rrëzimit të dy dekreteve të tjera, gjë që do të kërkonte një kompletim të gjithë këtyre vakancave sepse në fund të fundit Gjykata e Lartë ka siguruar, ka bërë që të mos kemi atë funksionim që do të donim sepse vakancat aktualisht janë tre. Në radhë të parë duhet të ndërtohet ky bashkëpunim në linjë, i vërtetë dhe real”, tha Vasili.

Prononcimi i zotit Vasili u parapri nga nje incident kur nje person u perpoq ta sulmonte sapo ai doli te komunikonte me gazetaret.

Individi, që dyshohet se ka probleme mendore, eshte neutralizuar menjehere nga forcat e Gardes.

Top Channel