Kalaja: Duam tryezë me kryeministrin

03/03/2014 00:00

Kreu i Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja ka lajmëruar se protestat e
furgonave taksi 8+1 ditën e enjte do të zhvendosen përpara Parlamentit.

Ai ka përsëritur kërkesën për zhvillimin e një tryeze bisedimi mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto.

“Protesta vjen si rezultat i kokëfortësisë për të mos zhvilluar një tryezë bisedimi. Ne jemi taksapaguesit më të rregullt në vend. Shumica e tyre janë në borxhe në bankat e shtetit. Ne kemi kërkuar nga kryeministri që të ulemi në tavolinë dhe të gjejmë një kompromis në zbatim të ligjit. Por ministria e Transporteve dhe kryeministri kanë heshtur. Ne kërkojmë dialogun dhe tavolinën e bisedimeve”,- u shpreh Kalaja.

Ai dënoi aktet e dhunës sipas tij të Forcave Speciale dhe atyre të policisë në protestën e së premtes së shkuar, e cila nisi në rrugën e Elbasanit. Ndërkohë megjithëse në protestë ndodheshin eksponentë dhe deputetë të Partisë Demokratike, Kalaja ka akuzuar median se e ka instrumentalizuar protestën, duke e konsideruar si politike.

“Ne kemi kërkuar takim me deputetët e PS, LSI dhe opozitës dhe me të gjithë parlamentarët. Të takohen me zgjedhësit e tyre. Ne nuk kemi kërkuar në asnjë çast rënien e qeverisë. Ne kërkojmë që njerëzit të mbajnë vendet e punë që kanë që të mund të jetojnë”, u shpreh ai.

Top Channel