Basha: Ktheni të shkarkuarit në punë

03/03/2014 00:00

Që situata politike të rikthehet në normalitet dhe forcat politike të
nisin bashkëpunimin për reformat, opozita ka një kusht dhe kryetari i
Partisë Demokratike Lulzim Basha e përsëriti shumë qartë atë.

“Ajo që kërkojmë sot dhe do të vazhdojmë të kërkojmë me forcë në sallën e Kuvendit dhe të gjitha foltoret dhe sheshet e Shqipërisë në protestë, është anulimi i pasojave që ka krijuar ndërkohë zbatimi antiligjor i Aktit Normativ antikushtetues, kthimi në punë pa kushte i të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që janë hequr arbitrarisht me aktin e rrëzuar, jo thjesht botimi i vendimit të Gjykatës në Fletoren Zyrtare, por zbatimi i këtij vendimi dhe tërheqja e projektligjit të shkatërrimit të administratës publike do të ishin sinjalet e para se shumica parlamentare dhe qeveria e saj, po fillojnë të reflektojnë ndaj mesazheve që ka adresuar në adresë të tyre protesta popullore dhe lufta jonë parlamentare”, tha Basha.

Ne te kundert, siç thote zoti Basha, pavaresisht se do te konsumoje te gjitha mundesite ne Parlament, opozita nuk do te pranoje te behet pjese e zhberjes se demokracise shqiptare.

“Rama-Meta, si shumicë nuk u mjaftua të qëndronte në numrat që ka marrë nga kutitë, u bë shumicë e cilësuar me mandate të peshkuara nga opozita për të zhbërë me arrogancën e numrave legjislacionin konsensual dhe produktet e tij, për të goditur dhe vënë nën vartësi politike institucionet e pavarura, për të shmangur dhe mundësisht zeruar opozitën për të instaluar pushtetin e tyre vetjak, sundimin e tyre në vend të sundimit të ligjit. Protesta popullore është mjeti i ligjshëm për të ballancuar raportet arbirtratisht të zhballancuara të forcave në Kuvend”, tha Basha.

Duke e konsideruar koalicionin Rama-Meta, si Qeverine e shpunesimit masiv, kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha, beri te qarte se protestat dhe mbeshtetja e tyre nuk do te ndalen.

“Qeveria e shpunësimit masiv dhe papunësimit masiv është Qeveria që duket se i ka dalë tepër populli i saj. Në fakt populli është në vendin e vet, Qeveria nuk është në krye të detyrës, qeveria nuk është në lartësinë e premtimeve të saj, Qeveria nuk është në vendin e vet, Qeveria po del tepër, jo populli. Duam t’i sigurojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që po protestojnë apo duan të protestojnë se Partia Demokratike dhe opozita janë përkrah tyre. Protesta është zgjidhje, prandaj Shqipëria në protestë do të vazhdojë të jetë puna jonë numër një”, tha Basha.

Top Channel