Basha: Protesta kundër keqqeverisjes

24/02/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri jehonë protestës së opozitës më 20 shkurt, si një paralajmërim të qartë që qytetarët i bënë mazhorancës për t’i dhënë fund keqqeverisjes së vendit. Por a do të vazhdojnë protestat? Zoti Basha tha një fjali pohuese, por pa afate.

“Qeveria Rama-Meta jo vetëm s’jep asnjë shpresë se vendi do përparojë në rrugën evropiane, por me verbëri politike po e shkatërron këtë rrugë. Kjo është qeveria e votave të vjedhura e të trafikuara. Lajmi i mirë për shqiptarët është se fuqia dhe intensiteti i protestave të tjera do të varet nga keqqeverisja”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të opozitës, keqqeverisja po thellohet dhe rënia e të ardhurave me 1.8 për qind në janar krahasuar me një vit më parë është tregues i fenomeneve më të rënda që rrënojnë shtetin.

“Kanë rënë të ardhurat, ka rënë në zero kreditimi i biznesit dhe investimet e huaja janë në rënie të lirë. Të vetmet rritje janë defiçiti dhe borxhi galopant. Jemi në kushtet e një anomalie në kushtet e një krimi ekonomik. Protesta është një përballje vendimtare që bashkon mbrojtjen e demokracisë me mbrojtjen e bukës së gojës për mijëra e mijëra njerëz”, nënvizoi Basha.

Zoti Basha e cilëson këtë si një përballje të demokracisë, pasi duke dënuar si antikushtetuese veprimet e mazhorancës në lidhje me ligjin për shërbimin civil dhe shkarkimin e kreut të ILDKP-së, Partia Demokratike mund të vendosë largimin nga Parlamenti, ndoshta edhe që këtë javë.

“Në këto kushte bëhet e domosdoshme që populli sovran të marrë në dorë fatin e tij. Dhe ai do ta marrë. Shqipëria në protestë është puna jonë si opozitë. Pas votimeve të fundit në Parlament, ne do të rishikojmë qëndrimin tonë ndaj këtij institutcioni”, shtoi Basha.

Top Channel