“Banka” e gjakut shqiptar

23/02/2014 00:00

“Të japësh gjak është një gjest human.” Me këtë moto dhjetëra emigrantë socialistë të Selanikut kanë dhuruar gjak duke krijuar kështu të parën bankë gjaku në këtë qytet për të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit shqiptar që do të kenë nevojë.

Jorida Dembaj, mësuese e gjuhës angleze, thotë: “Këtu në Selanik po japin gjak të gjithë shqiptarët. Janë sensibilizuar për të ndihmuar gjithë njerëzit në rast nevoje. Ky ishte angazhimi i parë në lidhje me dhurimin e gjakut, shpresojmë dhe besojmë se ky angazhim do të vazhdojë edhe më tej.”

Emigrantja Diana Demiraj deklaron: “Kam ardhur me thirrjen që bëri Partia Socialiste Selanik të dhurojmë gjak, të ndihmojmë sa të jetë e mundur që të shpëtojmë një jetë. Është diçka humane dhe u bëj thirrje që të gjithëve që të vijnë dhe të dhurojnë gjak.”

Nisma e krijimit të një banke gjaku për shqiptarët që jetojnë në Greqi është kryer në bashkëpunim me repartin e hematologjisë të spitalit Ipokratio të Selanikut. Vlen të përmendim se asnjë mjek dhe infermier i spitaleve të vendit nuk ka pranuar nga neonazistët e AA-së dhurimin e gjakut vetëm për grekët, ndaj nisma e emigrantëve socialistë të Selanikut për të dhënë gjak edhe për ata grekë që do të kenë nevojë, është pritur me komente tepër pozitive.

Tomor Demir, nga dega e PS-së në Selanik, u shpreh: “Të japim gjak sa më shumë për qytetarët tanë që jetojnë në Greqi si dhe për komunitetin që ne bashkëjetojmë. Thelbi është që ne kemi bërë thirrje dhe kemi hapur një bankë gjaku këtu për qytetarët tanë, por nëse komuniteti do të ketë nevojë, ne jemi koshientë që gjaku ynë të jetë në dispozicion të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë.”

Duke u bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit të marrin pjesë në këtë akt human, emigrantët kanë pohuar se do të vazhdojnë dhurimin e gjakut edhe në muajt e tjerë.

Top Channel