PD: Italia në alarm për drogën

16/02/2014 00:00

Partia Demokratike tha se është e shqetësuar për alarmin e dhënë nga Italia, për drogën që mbërrin nga Shqipëria.

Sipas deputetit Aldo Bumçi, rikthimi i vendit tonë në listën e zezë të tranzitit të lëndës narkotike prish imazhin, ndërsa opozita, tha ai, ka denoncuar këto muaj faktin se në poste kyçe të policisë janë vendosur njerëz të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës.

“Ja çfarë ndodh në Itali, tani nuk e themi vetëm ne, por policia e Republikës italiane jep alarmin ‘SOS’. Policia e shtetit fqinj thotë se droga e Shqipërisë ka vërshuar me tonelata në brigjet e Italisë. Ky shqetësim vjen nga Italia fqinje, vendi që ishte avokatja më e fuqishme për Shqipërinë, sa i përket liberalizimit të vizave. Ky është një lajm shumë i keq për Shqipërinë dhe e kthen vendin tonë në listën e zezë të tranzitimit të drogës. U deshën shumë vite punë në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, për të hequr Shqipërinë nga lista e zezë e drogës. U deshën pak muaj të qeverisjes së Edi Ramës, për ta rikthyer Shqipërinë në ditët e saj më të errëta të tranzitimit të lëndëve narkotike, çfarë dëmton rëndë imazhin e vendit tonë”, u shpreh deputeti Aldo Bumçi.

Top Channel