Basha: Rama po çon vendin në humnerë

15/02/2014 00:00

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, duke e quajtur degën e
kësaj partie në Kavajë si historike për këtë forcë politike, lëshoi
akuza në drejtim të maxhorancës qeverisëse, duke e akuzuar atë si
shkallmuese të konsensusit.

Kreu i demokratëve u tha qytetarëve të Kavajës se është detyrë e të gjithë demokratëve për ta kthyer Shqipërinë në binarët e ligjit.

“Po shkallmojnë ligjin konsensual për Nëpunësin Civil, po kërkojnë t’i ikin parimit të paluajtshëm të konsensusit për reformën territoriale, që është njëkohësisht reformë elektorale. Këto 5-6 muaj kanë treguar se çfarë është ligjore është armiqësore për dyshen Rama-Meta. Çfarë është konsensuale është e papranueshme për këtë dyshe. Askush nuk e kishte imagjinuar sa larg kundërvenia e tij kundër ligjit, kushtetutës, opozitës, qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre”, tha Basha.  

Mitingun e 20 shkurtit në Tiranë, Basha e quajti si një prej hapave të Partisë Demokratike, për ta ndalur udhetimin e vendit drejt humneres.

“20 shkurti është një apel i gjallë për të gjitha moshat, veçanërisht për brezin e ri, për t’u ngritur sërish, për të demostruar sërish papajtueshmërinë me paligjshmërinë, arbitraritetin, mashtrimet dhe papërgjegjshmërinë që janë shartime të sistemit enverist totalitar në demokraci, që Qeveria Rama-Meta e ka ngritur në sistem, duke alarmuar partnerët tanë europianë dhe euroatlantikë, dhe para së gjithash qytetarët shqiptarë, të cilët nuk do të dorëzojnë asnjë pëllëmbë nga demokracia dhe standardet e fituara në këto vite”, tha Basha.

Duke përshëndetur antarësimet e të rinjve kavajas në PD-së, Basha tha ata janë pjesë e një sfide të re që ka kjo parti, e cila pret krahëhapur gjithesicilin, që kërkon t’i bashkohet opozitës.

PD: Qeveria po zhbën administratën

Opozita akuzoi serish sot Qeverine dhe kryeministrin Rama se permes ndryshimeve antikushtetuese ne ligjin per Nepunesin Civil po synon shkaterrimin e administrates publike. Deputeti Oerd Bylykbashi tha se drafi i ri i Qeverise jo vetem qe eshte bere pa konsensus, por ai po zhben ligjin qe u miratua me konsensus.

“Ky projektligj është antireformë. Ai shkon kundër kërkesës së Komisionit Europian që reforma e miratuar në maj 2013 të zbatohet me shpejtësi. Atë që nuk guxoi ta bëjë në shtator, po e bën tani. Projektligji është antireformë jo vetëm sepse kërkon të shtyjë përsëri hyrjen në fuqi të ligjit, siç bënë me aktin normativ antikushtetues, por prish standardet e ligjit të hartuar me ekspertizë dhe asistencë të BE-së dhe të miratuar me konsensus më 30 maj 2013. Qëllimi i vetëm është që të kenë dorë të lirë në  militantizimin e saj.Ky projektligj është antikushtetues dhe antiligj. Ai cënon të drejtat e fituara tashmë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të drejtat e mijëra nëpunësve të larguar dhe të mijëra të tjerëve që presin me ankth të largohen”, deklaroi Bylykbashi.

Zoti Bylykbashi tha se opozita nuk do të tërhiqet në betejën me këtë Kryeministër antiligj. “Ne jemi të sigurt se do të fitojmë sepse po luftojmë për parimet e shtetit të së drejtës”, vlerësoi ai.

Top Channel