Ndryshon ligji për Nëpunësin

14/02/2014 00:00

Qeveria i ka derguar Parlamentit për diskutime në komisionet
projektligjin “për disa ndryshime në ligjin për Nëpunësin Civil”, pas
vendimit te Gjykates Kushtetuese, qe shfuqizoi Aktin Normativ të
Qeverisë.

Dy prej neneve me te rendesishme te projektligjit lidhen me suprimimin e vendit te punes dhe demshperblimin qe ne kete projektligj parashikohet te jete 1 deri ne 3 paga mujore. Ja çfare parashikon Neni 50 i ligjit me ndryshimet e propozuara ne projektligj:

“Njësia përgjegjëse, një muaj përpara, njofton Nëpunësin Civil për fillimin e procedurës së mbylljes të institucionit. Në këtë rast, nëse nuk ka mundësi transferimi sipas pikës 2, të këtij neni, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e një muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në një vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e dy muajve nëpunësve civilë, që kanë nga një deri në pesë vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë dhe pagën e tre muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se pesë vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë”.

“E njejta procedure parashikohet ne projektligj edhe ne rastet kur kemi te bejme me fillimin e procedurës së ristrukturimit të institucionit. Procedura e hollësishme për risistemimin e nëpunësve civilë, për shkak të mbylljes apo ristrukturimit, si dhe përbërja e hollësishme e komisionit miratohen nga Këshilli i Ministrave”, thuhet ne projektligj.

PD: Qeveria shkeli Kushtetutën

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Eduart Halimi reagoi për projektligjin e miratuar nga Qeveria për Nëpunësin Civil. Nga selia blu, Halimi e quajti këtë veprim të Qeverisë si jo transparent, i cili sipas tij shkel Kushtetutën.

“Partia Demokratike e denoncon këtë rast, si një akt të papracedentë. Në historinë legjislative shqiptare dhe mbarë botërore, kur një ligj zhbëhet tërësisht, duke u ndryshuar thelbësisht, në pjesën më të madhe të neneve, pa u zbatuar as edhe një ditë nga Qeveria. Një ligj për të cilën u organizuan tryeza më ekspertët publikë dhe me mediat, për dy vite dhe ndryshohet brenda natës me 16 nene. Edi Rama ka bërë të qartë gjithashtu se është kundër konsensusit politik dhe ka zgjedhur të hedhë në erë çdo mundësi për të dialoguar me opozitën”, tha Halimi.

Deputeti Halimi renditi 3 aspekte se çfarë Qeveria synon të arrijë me të tilla ndryshime.

“Ky projekt i ri i Ramës përkeqëson, në të cilën ndodhet administrata publike, përkeqëson garancitë për qëndrimin në detyre, jo vetëm në raport me ligjin ekzistues për Nëpunësin Civil, por edhe krahasuar me ligjin e mëparshëm, ligjëron të gjitha shkarkimet dhe ata që janë të nxjerrë në listë pritjeje, të kryera në kundërshtim të hapur me ligjin, të kryera bazuar në një akt kryekëput kushtetues siç tha edhe Gjykata Kushtetuese”, theksoi Halimi.

Sipas opozitës projektligji i Qeverisë po minon konsensusin më të cilin është miratuar ligji i Nëpunësist Civil.

PS: Opozita synon bllokimin e reformave

Por në reagimin e saj ministrja Milena Harito tha se drafti është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe PDIU-në, ndërsa demokratet sipas saj nuk u ulën në tryezë. Në një deklaratë për mediat, Harito theksoi se demokratët synojnë të bllokojnë reformat.

“E vërteta është se ndryshimet e propozuara nga qeveria për ligjin e nëpunësit civil janë konsultuar me partnerët ndërkombëtar dhe është ftuar edhe opozita. Por opozita e PD tenton të bllokojë dhe të mos dëgjojë me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin. Falenderojmë një pjesë të opozitës, PDIU, që iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe nuk u fsheh pas arsyeve absurde për të mos u ulur në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Harito.

“Projektligji është në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që thotë se ndërhyrjet nuk duheshin bërë me akt normavitv por me proçedurë parlamentare. Përshëndesim qëndrimin e atyre deputetëve të PD, për kontributin në komisionet parlamentare përkatëse”, shtoi ministrja Harito. 

Top Channel