Top Story: Reforma administrative

13/02/2014 00:00

Hija e zgjedhjeve lokale ka zbarkuar në skenën politike në formën e debatit për reformën administrativo-territoriale dhe dy kahet e politikës shqiptare e kanë mendjen edhe tek harta e re elektorale.

Ditën e mërkurë qeveria nisi zyrtarisht konsultimet me të zgjedhur vendorë për këtë reformë. Por në këtë takim ka munguar shoqata kryesore e e përfaqësuesve të pushtetit lokal, ajo e drejtuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Reforma administrative është një domosdoshmëri e pranuar nga të dyja palët. Megjithatë palët nuk po bien dakort. Pse? Mos ndoshta zgjedhjet për pushtetin vendor të 2015 po ndikojnë mbi këtë debat të domosdoshëm për menaxhimin e territorit të vendit?

Për këto dhe të tjera pyetje në lidhje me këtë reformë, në panelin e Top Story të Sokol Ballës, këtë të enjte ishin të ftuar Bledi Çuçi, Ministër i Çështjeve Vendore, zv.Ministrin i  Transporteve, Ylli Manjani përballë dy përfaqësuesve të opozitës, Flamur Noka dhe Ferdinand Poni.

Ministri Çuçi bëri një rezyme të faktorëve që kanë penguar këtë reformë dhe të domosdoshmërisë së saj. Ai tha se me ligjin për pushtetin vendor të miratuar në Kuvend në vitin 2000 u vunë re mangësitë e kësaj ndarjeje.

“Në fakt politika i ka një borxh të madh kësaj reforme. Në 1990 ndryshuam sistemin politik, ekonomik, zgjodhëm të qeverisim vendin nëpërmjet decentralizimit të qeverisjes, por mbajtëm të njëjtin fragmentarizim duke konvertuar kooperativat bujqësore në komuna. Nuk ka pasur ndonjë përpjekje serioze deri në vitin 2000, kur u miratua një paketë serioze sa i përket ligjeve në funksionimin e qeverisjes vendore. Në atë kohë u mendua që të rishikohej ndarja administrative territoriale ku u propozuan rreth 190-200 njësi vendore. Ky propozim nuk mori konsensusin politik në atë kohë dhe u braktis. Reforma e miratuar në vitin 2000 nuk po funksiononte si duhet dhe shkaku kryesor për analistët e asaj kohe ishte sepse Shqipëria ishte shumë e fragmentuar për shkak të kësaj ndarje. Në 2003 në një klimë konsensusi politik ku maxhoranca dhe opozita bënë një pakt, në një nga pikat u fut edhe konsensusi për një reformë administrative-territoriale. Në 2005 dhe në 2009 Partia Demokratike e kishte në programin e saj reformën, por nuk bëri asgjë”, tha zoti Çuçi.

“Sot kemi 263 njësi vendore që kanë nën 5 mijë banorë. Sot që flasim, sipas censusit të fundit. Komunat që kanë nën 5 mijë banorë kanë 4 herë më pak të ardhura për frymë se sa komunat që kanë mbi 5 mijë banorë”, shtoi Ministri.

Edhe përfaqësuesit e opozitës konfirmuar qëndrimin e Partisë Demokratike për dobishmërinë e ndarjes administrative, por…

“Reforma administrative dhe territoriale ka qenë dhe është e nevojshme. Sot funksionojmë mbi bazën e një reforme të vjetër, ka 20 e ca vjet dhe lind nevoja të rishikohet. Ne kemi qenë vazhdimisht për të bërë një reformë të re. Ajo që ne gjykojmë mjaft të rëndësishme është cështja e frymës që duhet të mbizotërojë në momentin që parashtrohet për diskutim një reformë e tillë. Ne kemi patur në programin tonë elektoral edhe në 2005 dhe në 2009. Nuk mund të bënim asgjë sepse kjo reformë kërkon konsensus dhe konsensusi nuk jepej dhe pa konsensus kjo reformë s’bëhet. Kjo është arsyeja që në 8 vjet qeverisje ne nuk mundëm ta realizonim”, tha deputeti dhe ish-Ministri i Brendshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Por cilat janë efektet kryesore të kësaj reforme nëse realizohet?

Sekretari për Çështjet Zgjedhore i Partisë Demokratike, Ferdinand Poni tha se kjo reformë duhet shoqëruar me të tjerë lëvizje. Ai tha se në bazë të kësaj ndarjeje Shqipëria shkon në zgjedhje dhe zgjedhjet zhvillohen nën një ligj zgjedhor të miratuar me konsensus.

“Si mund të prekim një konfiguracion elektoral në kuptimin juridik, institucional por edhe të numrave me një pjesë dhe arritje të pjesshme që është reforma administrative? Është një reformë që prek dy-tre shtylla të tjera të shtetit, është një reformë e rëndësishme ndaj kërkon konsensus”, tha zoti Poni duke sqaruar se të zgjedhurit vendorë të opozitës nuk morën pjesë në konsultimet me qeverinë për shkak se mungonte fryma e konsensusit.

Përfaqësuesi i PD tha se kjo reformë duhet të jetë e mirëmenduar që kërkon kohën e vet. “Po ngremë një godinë që do të shkojë të paktën 30 vjet”, tha Poni.

Zv.ministri i Transportit dhe përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani tha se ky është një proces krejt ndryshe nga sa e sheh politika dhe që kërkon me patjetër konsensusin nga Partia Demokratike.
“Partia Demokratike duhet të jetë pjesë e kësaj reforme padiskutim sepse në 24 vite pluralizëm, 14 i takojnë PD në qeverisjen qendrore. Kjo është domosdoshmëri dhe këtu palët bien dakort, por sa vjen puna që të formalizohet vendimi, të fillojë puna, menjëherë vendoset barriera”, tha zoti Manjani.

Deputeti demokrat, Flamur Noka ndëhyu duke thënë se që të ketë konsensus, duhet krijuar një klimë besimi mes palëve, që sipas zotit Noka, nuk ekziston tek maxhoranca e majtë.

“Para zgjedhjeve u gjet gjuha e konsensusit dhe u votuan 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli. Sa erdhën në pushtet e shkelmuan këtë konsensus me të dyja këmbët me ligjin për nëpunësin civil, që ishte një ligj i arrirë me ndihmën e Bashkimit Europian”, deklaroi Noka duke shtuar se opozita ka humbur besimin për konsensus tek kjo maxhorancë për shkak të vendimeve të saj, që sipas tij, po synon të vendosë nën kontroll gjithë institucionet e pavarura.

Por Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi kundërshtoi. Sipas tij ishte qeveria e djeshme dhe opozita e sotme që ka shkelur konsensusin duke mos përgatitur aktet nënligjore të ligjit për nëpunësin civile, ashtu sikundër ishte në marrëveshjen mes palëve.

Zoti Poni tha se opozita ka nevojë për garanci për konsensusin dhe njëra prej tyre tha ai është angazhimi i maxhorancës për të mos përdorur forcën e numrave në Kuvend për të vendosur ndryshe nga çfarë mund të arrihet në komisionin parlamentar të reformës administrative.

“Konferenca e djeshme tregoi që nuk jemi në një klimë konsensusi, por në një klimë unilaterale”, tha Sekretari i PD për Çështjet Zgjedhore.

Dy përfaqësuesit e maxhorancës, zv.Ministri i Transporteve, Ylli Manjani dhe Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi këmbëngulën se qeveria po i ofron konsensus opozitës, por shtuan se kjo maxhorancë nuk mund të mbahet peng për realizimin e kësaj reforme që ata e cilësojnë të domosdoshme dhe se votat për të miratuar atë i ka edhe e vetme nëse opozita do të kërkojë pretekste për të mos marrë pjesë.

“Kjo maxhorancë nuk pret pretekste për këtë, kjo maxhorancë e ka bërë de facto këtë gjë”, reagoi deputeti demokrat, Flamur Noka.
Zv.ministri i Transporteve, Ylli Manjani tha se maxhoranca i ofron konsensusin dhe garancitë për zbatimin e tij që në dokumentin e Kuvendit për ngritjen dhe funksionimin e komisionit të reformës administrative dhe territoriale.

“Në vendimin e Kuvendit thuhet që nuk mund të cohet asnjë ligj për t’u votuar nëse në komision nuk ka marrë 9 vota. Ky është vendim i Kuvendit, që do të thotë vullneti për konsensus është shprehur në atë dokument, në dokumentin e ngritjes së komisionit të reformës. Instrumenti është aty, maxhoranca ka vendosur që nuk do të përdorë shumicën pa vajtur propozimi nga komisioni i reformës”, tha zoti Manjani.

Top Channel