Tahiri: PDIU, jo në mazhorancë

13/02/2014 00:00

Nënkryetari i grupit parlamentar të PDIU-së, Dashamir Tahiri deklaroi se në këtë forcë politike nuk është duke u disktuar një vendim i mundshëm për t’iu bashkangjitur mazhorancës.

Duke mohuar që nga kjo e fundit të ketë një ofertë të tillë, ai e komenton si personal takimin një dite më parë të kreut Shpëtim Idrizi me kryeministrin Rama dhe kryetarin e Parlamentit, Meta.

“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim që do të kalojmë në mazhorancë. Sa u përket drekave apo kafeve që zoti Idrizi konsumon, ajo është punë e zotit Idrizi. Unë po them në emër të grupit se nuk ka asnjë vendim. As ofertë s’ka, as vendim s’kemi marrë”, deklaron Tahiri.

Nënkryetari i grupit të PDIU-së sqaroi gjithashtu qëndrimin e forcës së tij për reformën territoriale. “PDIU nuk ka marrë asnjë vendim që të shkojë vetë në komision. Ajo gjithmonë ka bërë thirrje që me këtë të merren dy partitë e mëdha e që të arrihet konsensus. Asnjë reformë territoriale pa konsensusin e opozitës nuk do të ishte një reformë. Nuk ka kuptim që të marrë pjesë vetëm PDIU për të bërë kuorumin”, nënvizon Tahiri.

Top Channel