Gjatë një tryeze me temë “Zgjerimi i BE-së dhe perspektiva europiane”, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman deklaroi se gjenerata e re në Shqipëri ka ndihmuar në zhvillimet që lidhen me integrimin, për ta kuptuar më mirë Europën.

Diplomati gjerman në fjalën e tij u shpreh se integrimi gjithashtu nuk është konkurs bukurie, ku prezantohen ministra të rinj e të edukuar në Europën perëndimore, të cilët prezantojnë me pasion politika të ndryshme, por ata duhet të jenë bindës në realizimin e reformave dhe modernizimin e Shqipërisë në të gjitha frontet.

Proceset e tanishme integruese të Shqipërisë, theksoi ambasadori, kanë ngritur disa cështje: A do të vijojë Shqipëria me polarizimin famëkeq, apo do të ndërtojë një kulturë të re politike, me një balancë mes aktorëve politikë që duhet të bashkëpunojnë?

Për hir të së vërtetës, deklaroi ambasadori gjerman, nuk jam i inkurajuar prej zhvillimeve të fundit, duke këshilluar se jo vetëm qeveria por edhe opozita duhet të luajë rolin e saj.

A do të mundet qeveria e re të ndalojë praktikat e ndjekura në të shkuarën në trajtimin e administratës publike si një pronë partiake, duke punësuar militant partiakë edhe pa patur kualifikimet e duhura në pozicione kyçe?

Kjo është njëra prej pyetjeve të ngritura gjatë diskutimit prej ambasadorit Hoffman, pasuar prej një tjetër, që lidhet drejtpërdrejtë me reformat e nisura në drejtësi, të kërkuara nga BE-ja.

A do të jetë e mundur që reforma në drejtësi të mos mbështillet nga re korrupsioni, të cilat do ta kthejnë atë më pas në një polemikë masive?

Ambasadori i quan këto pyetje dhe përgjigjet që priten nga politika shqiptare si kyçe për të ardhmen e Shqipërisë, posaçërisht në nisjen e një kapitulli të ri.

Dhe që ky kapitull i ri të ndodhë, ambasadori gjerman i rikujton politikanëve shqiptarë se tangoja kërcehet nga dy persona, pra qeveria dhe opozita, duke punuar në kushte të përshtatshme e jo duke kthyer në skandale praktikisht gjithçka të vështirë me të cilën ata përballen.

Fjalën e tij në tryezën “Zgjerimi i BE-së dhe perspektiva europiane”, ambasadori e mbylli me këtë koment: “Nuk ka dyshim. Keni shumë sfida përpara sepse statusi i vendit kandidat është një tjetër hap në rrugën përpara, si për ju dhe ne brenda BE-së. Jam i bindur se është një përpjekje që ia vlen”.

Top Channel