Berisha “rrëmben” sërish seancën

13/02/2014 00:00

Seanca kuvendore për bujqësinë u kthye në një tjetër maratonë të fjalimeve dhe replikave të ish-kryeministrit Sali Berisha me deputetët dhe ministrat e mazhorancës, ku veç për bujqësinë nuk u diskuta.

Në fjalimin më shumë se 30 minuta në sallën e parlamentit, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi mazhorancën dhe qeverinë për favorizime me akcizën.

Sali Berisha, deputet i PD: Po pse të mos e besoni ju të nderuar qytetarë kur këta po me urdhër të Top Channel i hoqën Lori Caffe akcizën në momentin e fundit në këtë sallë, i hoqën Lori se Lori akcisë nuk mund të kishte.

Erjon Braçe, deputet i PS: E sfidoj këtu tani, të dalë këtu dhe të tregojë vendimin e këtij Kuvendi që ka ndryshuar akcizë kafeje në dhjetor? O të rrijë këtu dhe ta provojë akuzën që bën, o të ikë!

Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, këmbënguli edhe disa minuta më vonë që ish-kryeministri të vërtetonte deklaratat, por zoti Berisha preferoi që të replikonte me deputetë të tjerë dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për të tjera argumente, duke mos e prekur më argumentin e akcizës.

Ndërkaq, shifrat tregojnë se akciza e kafes në paketën fiskale është  e njëjtë me atë të një viti më parë kur paketën fiskale e hartoi qeveria që drejtonte zoti Berisha.

Po nga podiumi i Kuvendit ish-kreu i qeverisë u bë përçues i një letre të një subjekti televiziv kabllor në Korçë. Megjithëse nën ndjekje penale për pirateri të programeve televizive, ish-kryeministri tha se besonte shqetësimin e këtij subjekti për shkelje të ligjit në dëm të tij, ndërsa deputeti Erjon Braçe i kërkoi të mos bëhet më mbështetës i atyre që shkelin ligjin.

Sali Berisha, deputet i PD: Një shembull nga qytetari nga Korça. Zoti Berisha, thotë, unë jam pronar i një media kabllore, policët tatimorë dhe të shtetit në skuadra vijnë të na imponojmë ne që të marrim kabllin nga Digitalb-i në një kohë që ligji përcakton se është AMA…

Erjon Braçe, deputet i PS: U bë e disata herë që në këtë sallë u dilet në mbrojtje atyre që shkelin ligjin dhe që abuzojnë me ligjin. Përmendi një kompani nga Korça dhe një kompani të atij zotërisë nga Korça. Po ua them këtu, ka një padi të qartë ndaj atij zotërisë për piratëri të programeve. Të mos i dalë në krah sepse paligjshmëria në vend e merr kurajon këtu, në këtë sallë! Boll e bëri zëdhënien e të gjithë të paligjshmëve të këtij vendi!

Pirateria televizive ka përbërë prej vitesh një problem, ku edhe Bashkimi Europian, OSBE dhe të tjera institucione ndërkombëtare kanë kërkuar prej qeverisë së kaluar që të merren masa ndaj këtij fenomeni.

AMA ka një listë të gjatë të shkeljeve prej televizioneve kabllore,të cilët piratojnë programe televizive, por ka qenë e pafuqishme për t’i shkuar këtij procesi deri në fund, ndërkohë që qeveria e kaluar nuk ka patur vullnet dhe nuk ka ndërhyrë për të respektuar të drejtat e autorit.

Edhe pse shqetësimi për piraterinë televizive është ngritur shpesh herë në Komisionin e Medias dhe deri në sallën e Kuvendit, për shkak të mosveprimit të institucioneve dhe heshtjes së strukturave të ekzekutivit, shkelësit e ligjit kanë marrë kurajo nga pandëshkushmëria për të vijuar vjedhjen e programeve televizive.

Top Channel