Ambasadorët, qeveria nuk tërhiqet

12/02/2014 00:00

Propozimet për Ambasadorë duket se janë fillimet e një marrëdhenieje delikate mes Qeverisë dhe Presidencës, që në raste të ngjashme të mëparshme kanë çuar deri në përplasje institucionale.

Dy nga propozimet e qeverisë si përfaqësuesit tanë diplomatik, respektivisht Ermir Gjinishi në Arabinë Saudite dhe Adrian Ndreca në Vatikan, nuk figurojnë në emrat e Ambasadorëve që kreu i shtetit dekretoi para pak ditësh, pavarësisht se emrat e tyre i shkuan Presidentit në tryezë në të njëjtën kohë.

Ndërsa ka mbetur me në hije emri i Gjinishit, përfolja mediatike është ndalur më gjatë tek emri i të propozuarit për Ambasador në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ardian Ndreca, për të cilin deputetë të opozitës ngritën në Komisionin e Jashtëm shqetësimin për disa shkrime të tij të mëherëshme mbi qendrimet e tij ndaj Presidentit, ndoshta edhe për këtë shkak, mediatikisht u tha se nuk gëzon pëlqimin e Presidencës.

I kontaktuar nga Top Channel për arsyet e mosdekretimit të propozimeve për ambasadorë institucioni i drejtuar nga Bujar Nishani referon nenin 21 të ligjit për shërbimin e jashtëm të vitit 2003, i cili thotë se kreu i shtetit ka një afat të pacaktuar për këtë cështje. Edhe pse përballë një bllokimi të pritshëm të kandidaturës së Ndrecës, burime nga qeveria konfirmojnë për Top Channel se gjithsesi nuk do të tërhiqen nga propozimi i këtij emri për Ambasador në Selinë e Shenjtë, me bindjen se kandidatura e Ardian Ndrecës gëzon kredencialet e besueshme.

Mbështetur edhe mbi këtë referim të Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë – Durrës, i cili e vlerëson si kandidaturë të denjë, me një përvojë shumëvjecare bashkëpunimi me organizmat ndërkombëtare në Vatikan dhe sipas tij gëzon respektin dhe vlerësimin e institucioneve të Selisë së Shenjtë, propozuesit thonë se këmbëngulin në këtë kandidaturë pasi i shohin si shumë të rëndësishme marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin.

Përfaqësues të qeverisë shtojnë se janë në pritje që presidenti të ushtrojë prerogativat kushtetuese dhe se cdo qëndrim i karakterit personal, thonë ata, dëmton raportin Qeveri – Presidencë.

Ngërçet institucionale Qeveri – Presidencë më herët kanë njohur edhe raste kur propozimet për ambasadorë janë mbajtur të padrekretuar edhe më shumë se një vit. Mbetet të shihet nëse do të ketë përsëritje të këtyre rekordeve kohore, që brenda vendit janë emërtuar si përplasje institucionale, ndërsa jashtë tij e kanë lënë atë pa përfaqësim në rangun më të lartë diplomatik, atë të ambasadorit.

Top Channel