Fyle shtyn vizitën në Tiranë

11/02/2014 00:00

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, shtyn për në 6 mars vizitën e
planifikuar për në Tiranë këtë të enjte për mbajtjen e raundit të dytë
të Dialogut të Nivelit të Lartë, që nisi Nëntorin e kaluar me
autoritetet shqipëtare mbi plotësimin e 5 prioriteteve kyçe për nisjen e
negociatave të anëtarësimit me BE.

“Nisur nga situata e krijuar në Ukrainë, kërkohet urgjentisht atje prania e Komisionerit dhe ai do të jetë në Kiev  të martën, të mërkurën dhe të enjten për të ndihmuar partnerët ukrainas për rrugëdaljen nga kriza aktuale”, sqaron zyra e Komisionerit duke nënvizuar se po planifikohet me partnerët shqiptarë një tjetër datë për vizitën e Fyles në Tiranë.

Burime të Top Channel rrëfejnë se për shkak të axhendës së ngjeshur të këtij muaji mundësia më e parë mbetet data 6 mars, kur pritet të zhvillohet kjo vizitë, nëse miratohet dhe nga pala shqiptare. “Komisioni Europian dhe personalisht Komisioneri mbeten shumë të vendosur për të vazhduar dialogun me Shqipërinë, përfshirë Dialogun e Nivelit të Lartë, që nisi suksesshëm vitin e kaluar për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit në BE,” përfundon sqarimin për shtyrjen e vizitës zyra e Komisionerit Fyle.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel