Portugalia nxjerr në shitje kryeveprat e Miro

04/02/2014 16:00

Portugalia do të shesë 85 kryevepra të piktorit të madh katalanas, Joan Miro.

Lajmin e konfirmoi të martën Lisbona zyrtare. Nxjerrja në ankand e pikturave bëhet me qëllim që të grumbullohen fonde, pasi qeveria u detyrua të shpëtonte një bankë nga falimentimi.

Shteti portugez u vendos në pronësi të pikturave, që ishin pjesë e aseteve të “BPN Bank”, e cila u shtetëzua gjatë krizës financiare të vitit 2008.

Një gjykatë në Portugali refuzoi më parë që të pranonte një tentativë të opozitës për të bllokuar shitjen e pikturave, që aktualisht qëndrojnë në një muze.

Veprat e artit, të cilat besohen se kanë së bashku një vlerë prej 49 milionë dollarësh, do të nxirren në ankand në Londër gjatë javës së ardhshme.

Ky vendim ka ngjallur protestat e ashpër të opozitës, që thekson se Portugalia po humbet disa prej vlerave të saj kulturore më të çmuara.

Top Channel