Francë, “banda e luleve” që po bën namin

04/02/2014 00:00

Në Francë sa vijnë e shtohen vjedhjet e ortensie, një lule që thuhet se mundëson efekte të ngjashme me ato të marijuanës.

Disa rajone veriore të vendit janë prekur nga fenomeni i ri, i mirënjohur në Gjermani prej gati një vit. Vjedhjet janë bërë aq shqetësuese saqë xhandarmëria ka hapur një hetim pas rreth 20 denoncimeve.

Sipas një televizioni francez, “banda e ortensiesë” nuk vepron për të dekoruar kopshtin e shtëpisë, por për të arritur efekte të ngjashme me ato të kanabisit, duke i përzjerë petalet me gjethet e duhanit.

Kjo përbërje thuhet se është shumë më pak e shtrenjtë dhe shumë më pak e rrezikshme në aspektin penal për trafikantët. Por në aspektin shëndetësor është tjetër gjë.

Të tymosësh këtë bimë mund të jetë shumë e rrezikshme, në mos fatale për jetën, pasi mund të shkaktojë bllokimin e sistemit të frymëmarrjes dhe atij nervor. Ndërsa efektet në planin afatgjatë nuk janë zbuluar ende.

Por, sipas profesorit Kurt Hostettmann, i intervistuar nga gazeta zvicerane “Le Matin”, nëse ortensie tymoset në doza të larta, substancat psikoaktive të saj kthehen në Zyklon B, gazi vdekjeprurës i përdorur nga nazistët.

Top Channel