Hajrulla Kalo, biznesmeni që ndihmon këdo

28/01/2014 00:00

Jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar rrënjësisht. Dikur, struktura 7-anëtarëshe ka pasur për strehë banimi këtë barakë me kushte mjerane. Sot, e gjithë familja jeton denjësisht në një shtëpi.

Kjo falë shpirtit bujar të një njeriu që investoi në ndërtimin e banesës së Tefik Mallutas në fshatin Grabian të Lushnjes. Ai është biznesmni Hajrullah Kalo dhe ngjarja mori shkas nga një kronikë e transmetuar në emisonin “Fiks Fare”. Hanifja, më e vjetra e shtëpisë, përulet zemërsisht ndaj bujarisë së njeriut i cili u ndryshoi jetën: “Kemi jetuar si mos më keq, bukë jo, shtëpi jo… Pastë jetë së bashku me familjen sepse na ka shpëtuar.”

Për këtë investim biznesmeni ka shpenzuar 23 milionë lekë dhe për më tepër banesa i është dorëzuar familjarëve në një kohë rekord. Një skuadër e tërë njerëzish me në krye Hajrullain ka punuar për këtë. Ramazan Kolonjari është një prej ndërtuesve: “Ka përfunduar për 35 ditë. Nuk ka njeri të hedhë kaq para. Vetëm një njeri me zemër të madhe e bën këtë.”

Por kjo është vetëm një prej veprave bamirëse që 50-vjeçari ka kryer. Ai ka ndihmuar familje në vështirësi të mëdha ekonomike nga Shkodra, Miloti, Laçi, Fushë-Kruja, Burreli, Librazhdi, Pogradeci, Lushnja etj. Nëse Hajrullai dëgjon për dikë në vështirësi, nëse dikush troket në derën e tij për ndihmë, ai e ka një zgjidhje për të gjithë. Në komunën Gos, ku ai jeton dhe zhvillon biznesin e tij, është i pafundëm numri i njerëzve që tregojnë se ai i ka ndihmuar financiarisht në situata të ndryshme.

Me një bujari të pamatë, biznesmeni nga Gosa u përgjigjet me gjithçka mundet miqve dhe bashkëfshatarëve të tij: “Gjithmonë interesohet për të gjithë dhe të zgjidh problemin me para’ ose me çdo gjë tjetër.”

Shumë kontribute të tij kanë shkuar edhe për vepra publike dhe financimin e veprimtarive letrare.

Kur Likja, siç e thërrasin bashkëfshatarët e tij Hajrullain, kalon rrugëve të komunës, është e pamundur të mos tërheqë vëmendjen e të njohurve. Ata bisedojnë për hallet e tyre të bindur se në zemrën e madhe të biznesmenit ka një zgjidhje për të gjithë. E shumë syresh e ndalin për t’i shprehur mirënjohjen.

Të bësh mirë pa kushte

Është vetëm 18 vjeç dhe përpjekja e saj më e madhe është të ndryshojë
jetën e njerëzve në nevojë. Me këtë ëndërr, Shpresa Elezaj, një vajzë
nga kryeqyteti, ndërtoi qendrën e saj të bamirësisë.

Prej më shumë se një viti dhjetëra familje me vështirësi ekonomike të skajshme, janë afruar dhe ndihmohen prej të resë. Ermira, një nënë e ve, tregon për bujarinë e Shpresës, e cila përpiqet me shpirt t’i bëjë ditët e këtyre njerëzve më të mira: “Një vajzë kaq e re me një inisiativë të madhe. E vlerësoj shumë, për mua ka bërë shumë.”

Kush e njeh prej vogëlisë nuk habitet me shpirtmadhësinë e vajzës së vogël. Të gjithë e kujtojnë si një vajzë e edukuar dhe shumë e afruar me njerëzit: “E kam njohur më parë, tani jam lidhur më shumë. Janë njerëz shumë të mirë dhe e falenderoj që jep këtë ndihmë.”

Janë të shumtë ata që gjejnë mbështetje dhe ndihmë në rrethin e Shpresës. Fëmijë, nëna, gra dhe burra në nevojë. Naimi tregon: “Kjo vajzë merr pjesë në një dhimbje shumë të rëndë ekonomike, psikologjike… Zoti e ndihmoftë për të gjitha këto.”

Me shumë dashuri, por edhe kujdes, Shpresa mundohet që të mos lërë pa ndihmuar njerez që vërtetë kanë nevojë. Në raste festash apo ditë të shënuara, ajo përpiqet që askush nga të përzgjedhurit e saj të mos mbesë pa kontributin që ofron për ta dhe ketë e bën duke ngritur një komision, i cili identifikon nga afër familjet dhe njerëzit në nevojë.

“Është e mirë dhe e sjellshme. Na ndihmon me ushqime dhe çfarë të ketë”, thotë një grua rome.

Shpirtmadhësia që vajza e re tregon duket se nuk është rastësi. Shpresa është nismëtarja e këtij aktiviteti bamirësie, por pas krahëve të saj qëndrojnë  miqtë dhe familja e saj. Ajo rrethohet dhe ndihmohet nga njerëz që kanë po të njëjtat ndjeshmëri.

“Është vetë natyra e Shpresës, e ka në gen. Një njeri që vuan dhe e ndjen sakrificën e njerëzve në nevojë, e bën me shpirt. Ajo çdo gjë e bën me shpirt”, shprehet Ermira.
Ndihma ekonomike dhe materiale është vetëm një prej kontributeve që qendra “Shpresa” ofron për njerëz në vështirësi jetësore.

Naimi thekson se qendra ofron edhe “ndihmë psikologjike sepse kjo është një vuajtje e rëndë”.

Ndaj, për shumë njerëz me të cilët jeta është sjellë me shumë mizori, Shpresa është shpresa e tyre e vetme.

Shkolla “Kelmend Rizvanolli” për të kujtuar djalin i cili la një pasuri pa trashëgimtarë

Shtatori i vitit 2013 e gjeti qytetin e Gjakovës me një shkollë të re. Ajo është shkolla fillore “Kelmend Rizvanolli”. Ideja e ndërtimit të këtij institucioni ku jepet dije lindi nga historia e një djali, jeta e të cilit u ndërpre para kohe, në mes të rrugës, përkundër shëndetit të mirë që rrezatonte.

Kelmendi ishte fëmija i vetëm i Fatmir Rizvanollit dhe Fakete Kusarit. Vdekja e babait në vitin 2000 dhe nënës gjashtë vjet më vonë, e lanë Kelmendin të vetmin trashëgimtar. Prindërit e Kelmendit vijnë nga familje të respektuara të Gjakovës, me tradita arsimdashëse, që i kishin shkolluar dhe edukuar fëmijët e tyre në kushtet e mungesave dhe pengesave, nga më të ndryshmet.

I rritur në një ambient të tillë, Kelmendi e vazhdoi rrugën e paraardhësve. I diplomuar për inxhinieri-ndërtimi, ai kishte hapur edhe kompaninë e tij. Por, ëndrrat dhe shpresat e Kelmendit u këputën më 27 tetor të vitit 2008, kur si pasojë e një ataku kardiak humbi jetën duke lënë një pasuri të konsiderueshme. Meqenëse Kelmendi nuk ishte i martuar dhe nuk kishte trashëgimtarë të tjerë, e gjithë pasuria e tij dhe e prindërve të vet shkoi për familjet Kusari dhe Rizvanolli në dy pjesë të barabarta.

Ata morën një vendim që e gjithë kjo pasuri të shërbejë për të ndërtuar një shkollë në qytetin e lindjes së Kelmendit dhe prindërve të tij, në Gjakovë. Ideja e ndërtimit të shkollës nuk qe e rastit dhe nuk lidhet vetëm me kujtimet e së kaluarës. Të dy prindërit dhe vetë Kelmendi, gjatë jetës së tyre, ishin të bindur se arsimimi ishte  rruga e vetme për të ecur përpara, drejt zhvillimit dhe përmirësimit duke besuar fort se lirisë dhe jetës sonë i duhet më së shumti DITURIA.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta