
Nëse bashkëshorti juaj nuk mban mend shumë gjëra, harron përvjetorin e
martesës apo emrin e fqinjëve, mos u shqetësoni, nuk jeni e vetmja.
Një studim i ri tregon se, pavarësisht nëse janë 30 apo 60 vjeç, meshkujt janë më të prirur se femrat të harrojnë. Në fakt, edhe vetë kërkuesit u befasuan nga rezultatet që i tregonin meshkujt shumë “harraqë”.
“Është e papritur të shohësh se meshkujt harrojnë më shumë se femrat”, tha profesor Xhostin (Jostein) Holmen, nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU). Kjo gjë nuk ishte e dokumentuar më parë.
Profesor Holmen dhe skuadra e tij bënë nëntë pyetje për të kuptuar sesa mirë mendonin njerëzit se i kujtonin gjërat, në kuadër të një studimi të madh shëndetësor në Norvegji.
Studimi, i quajtur HUNT3, është një nga studimet shëndetësore më të mëdha, me 48 000 njerëz të anketuar. Pjesëmarrësit u pyetën sa shpesh kishin probleme me kujtimin e gjërave, emrave dhe datave, gjithashtu nëse mbanin mend çfarë kishin bërë një vit më parë apo çfarë copëzash bisedash kishin bërë.
Meshkujt raportuan shumicën e problemeve për tetë nga nëntë pyetje. Profesor Holmen tha: “Ne kemi spekuluar shumë rreth faktit përse meshkujt raportojnë më shumë probleme me kujtesën sesa femrat, por nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë shpjegim për këtë. Ky është akoma një mister i pazgjidhur.
Hulumtuesit zbuluan se ndërsa femrat kishin kujtesë më të mirë se meshkujt, e kishin më të vështirë të kujtonin emra dhe data.
Edukimi dhe harresa
Kërkuesit zbuluan se njerëzit që kishin edukim më të lartë harronin më pak, ndërsa ata më pak të edukuar harronin më shumë. Njerëzit që vuanin nga ankthi dhe depresioni ishin më të prirur të harronin.
Sipas shkencëtarëve, si për meshkujt ashtu edhe për femrat probabiliteti i harresës rritet pas moshës 60 vjeç. Tani studiuesit po përpiqen të zgjidhin misterin nëse ka lidhje midis harresës në rini dhe humbjes së logjikës në moshë të thyer.
Përse harrojmë?
1. E keni ndier ndonjëherë momentin kur një pjesë e informacionit thjesht është zhdukur nga kujtesa juaj? Apo keni pasur përshtypjen se e kishit një informacion, por nuk po arrinit ta gjenit për momentin? Pamundësia për të sjellë ndër mend një kujtim është një nga shkaqet kryesore të harresës. Një teori shpjegon se kjo dukuri ndodh kur një e dhënë e caktuar futet në kujtesë, por nuk përmendet për shumë kohë, ndaj thjesht zhduket.
2. Një tjetër teori është ajo e interferimit, sipas së cilës disa kujtime konkurrojnë me të tjera. Kur një informacion është i ngjashëm me një informacion që është ruajtur më parë në kujtesë, interferenca ka më shumë gjasa të ndodhë. Ekzistojnë dy lloj interferencash, ajo proaktive, kur një kujtim i vjetër e bën të vështirë ose të pamundur kujtimin e një informacioni të ri, dhe interferenca retroaktive, kur një informacion i ri pengon kujtimin e një të vjetri.
3. Ndonjëherë humbja e informacionit nuk ka shumë të bëjë me harresën dhe është më shumë për shkak të faktit se informacioni nuk arrin kurrë të shkojë në kujtesën afatgjatë. Ky quhet dështim në ruajtje. Në një eksperiment të njohur, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve të identifikonin një qindarkë të saktë amerikane nga një grup i pasaktë i tyre. Nëse e provoni edhe ju, shanset janë që të mbani mend ngjyrën dhe formën, por jo detajet e tjera. Arsyeja është sepse vetëm detajet e nevojshme janë ngulitur në kujtesën tuaj afatgjatë.
4. Edhe ne mund të ndikojmë në harresën e kujtimeve, veçanërisht të atyre traumatike dhe të papëlqyeshme. Dy mënyrat kryesore të harresës së motivuar janë harresa e vetëdijshme dhe ajo e pavetëdijshme.
Top Channel