
24 janari mund të jetë një datë e zakonshme për shumë, por për ata më të apasionuarit pas teknologjisë kjo datë është mjaft domethënëse.
Pikërisht më 24 janar, 3 dekada më parë, nga një cantë e vogël, Steve Jobs do të nxirrte kompjuterin e parë Apple me sistemin operativ Macintosh. Sigurisht, në krahasim me produktet e ditëve të sotme, prototipi ishte primitiv, por duke patur parasysh që flitet për 30 vite më parë, kur kompjuteri ishte një luks i pakonceptueshëm për përdorim masiv, hapi ishte revolucionar.
24 janar 1984 është përjetësuar me dy filmime të ndryshme. Kjo ishte beteja e fituar e Steve Jobs, beteja e fituar e Apple edhe pse nuk ishin vetëm produktet e saj që hynë në cdo banesë, por tregu filloi dalëngadalë të popullohej edhe nga rivalë. Njëri prej tyre Microsoft i themeluar nga Bill Gates, që ashtu si Jobs ëndërronte përdorimin masiv të kompjuterit. Thuajse në të njëjtën periudhë, Microsoft hodhi në treg sistemin e tij të parë Windows në një kompjuter IBM.
Steve Wozniak dhe Steve Jobs. 1976
Vitet që do të pasonin nuk do të ishin aq të qeta. Dy kompanitë u përfshinë në një betejë ligjore patentash, ndërsa Jobs qëndron për një kohë të gjatë në hije, për t’u rikthyer në 1996 sërish tek Apple.
Fundi i viteve ’90 dhe vitet 2000 ishin vitet e arta. Në këtë periudhë Apple prezanton iPod, Apple Mac X, iPhone dhe iPad. Shkëputja gjithnjë e më e madhe nga kompjuterat dhe përqëndrimi i vëmendjes gjithnjë e më shumë, sidomos në tregun e telefonave inteligjentë si iPhone që doli në 2007 dhe që brenda një viti u shit plot 150 milion herë, detyroi kompaninë që të ndryshojë emrin në “Apple Inc”, nga “Apple Computers” që mbante që prej 1976.
Top Channel