Mark Kaftalli, krijuesi i mbi 750 veprave muzikore

07/01/2014 00:00

Violinisti, kompozitori dhe drejtuesi i orkestrës Mark Kaftalli festoi 80 vjetorin e tij mes miqsh, shokësh e familjarësh në një koncert dedikuar atij në teatrin “Migjeni”, në Shkodër.

Autor i mbi 750 veprave si këngë qytetare, por dhe lirike siç janë operetat, ende edhe sot ai nuk rri dot pa bërë asgjë, përkundrazi, vazhdon të jetë i ri në shpirt dhe të pasurojë krijimtarinë e tij.

“Kjo është skena ku babai ka kaluar pothuajse shumicën e jetës së tij. Jam shumë e lumtur që babai im ka një shëndet shumë të mirë në këtë moshë.” Kështu tregon Vera Kaftalli, vajza e drejtuesit të Orkestrës së Estradës Profesioniste për tre dekada, që me krijimin e saj në vitin 1958.

Në festivalin e parë të kompozitorëve amatorë fitoi çmimin e parë me një këngë të kënduar nga Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula. Po kështu, në festivalin e parë të këngës në radio, fitoi vendin e parë dhe në festivalin e tretë, vendin e dytë.

Mark Kaftalli është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe të parë. Në vitin 2005 është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia e Shkodrës dhe po ashtu në vitin 2012 me “Diplomën e Pavarësisë”.

Liza Simoni është motra e Mark Kaftallit, e cila edhe sot kujton përmendësh vargjet dhe këngët e të vëllait: “Ai është i mrekullueshëm. Unë i këndoj përditë këngët e tij.”

Madalena Kaftalli është e reja e familjes së tyre. Ajo ndjehet e privilegjuar që është bërë pjesë e kësaj dere: “I njoh pothuajse të gjitha këngët që ka bërë Marku. Muzikën e tij e ndjej shumë.”

Është një nga ikonat e muzikës shkodrane, është mjeshtri i violinës dhe zbuluesi i shumë talenteve të mëdha siç është edhe Tonin Tërshana.

Në djepin e jareve shkodrane

“Me kenë shkodran, të tana i ban”. Është kjo një nga shprehjet e vjetra të kryeqytetit të veriut të Shqipërisë, ku gëlon tradita, zakonet dhe këngët e bukura shkodrane.

Janë këngë të krijuara nga jeta e përditshme e të frymëzuara nga ndjenjat më të bukura që mund të ketë njeriu. Nuk ka shkodran që mos të dijë së paku një nga perlat e muzikës shkodrane, madje krenohen me to e shpeshherë i bëjnë të ndjehen të veçantë. Kështu tregon Liza Meraj, një nga zonjat e qytetit të kulturës. “Muzika qytetare shkodrane është e pazëvendësueshme dhe është më e bukura e Shqipërisë. Kultura ka lindur në Shkodër.“

Por ka edhe nga ata të cilëve nuk iu mungon as ndjenja e konkurrencës mes trevave, dokeve e vargjeve të thurura nga bilbilat e muzikës shqiptare: “Baza e kulturës shqiptare është në Shkodër për këtë arsye Shkodra është quajtur djepi i kulturës.“

Është një trashëgimi që ruhet nga brezi në brez e paprekur. Nuk ka rëndësi nëse dinë të këndojnë shumë mirë apo nëse stonojnë pakëz. E rëndësishme është që të rinjtë këndojnë dhe përcjellin traditën e bukur të qytetit të tyre siç bën Amelia dhe Pranvera.

“Muzika shkodrane është pjesë e jetës familjare të gjithë qytetarëve”, thonë të rejat.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta