Nuk është Sofja, zbulohet qyteti bullgar që do të mirëpresë Eurovisionin në vitin 2027/ Caktohet edhe data e finales së madhe

13/08/2026 17:33

Unioni Evropian i Radiodifuzionit (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) kanë bërë të ditur se qyteti bregdetar i Burgasit do të jetë mikpritësi i Festivalit Evropian të Këngës Eurovision 2027, që do të zhvillohet në maj të vitit të ardhshëm.

Konkursi i 71-të i Eurovisionit do të mbahet në Arena Burgas, një nga hapësirat më të reja sportive dhe të argëtimit në Bullgari, e cila u hap në vitin 2023. Tre netët kryesore të spektaklit do të zhvillohen më 11, 13 dhe 15 maj 2027, respektivisht me dy gjysmëfinale dhe finalen e madhe.

Eurovision 2027 do të jetë hera e parë që Bullgaria pret konkursin, pas fitores së artistes bullgare DARA në Eurovision 2026 në Vjenë me këngën Bangaranga.

Burgasi u zgjodh pas një procesi konkurrues ku morën pjesë katër qytete bullgare. Përveç Burgasit, oferta për të organizuar Eurovisionin u paraqitën edhe nga Sofja, Plovdivi dhe Varna.

Një grup pune ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësues të BNT-së dhe EBU-së, ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë me përvojë në organizimin e Eurovisionit, shqyrtoi kandidaturat, vizitoi ambientet e propozuara dhe zhvilloi takime me ekipet e bashkive.

Sipas organizatorëve, Burgasi u përzgjodh për kombinimin e infrastrukturës, kapaciteteve teknike, akomodimit, transportit dhe lidhjeve ndërkombëtare, si dhe për mbështetjen e fortë të autoriteteve lokale.

Edicioni i vitit 2027 synon të jetë më shumë sesa një event i përqendruar vetëm në Burgas. Edhe Sofja, Plovdivi dhe Varna do të përfshihen në aktivitetet shoqëruese të Eurovisionit, duke u bërë pjesë e programit kulturor dhe argëtues gjatë javës së festivalit.

Kryetari i Bashkisë së Burgasit, Dimitar Nikolov, e cilësoi organizimin një nder të jashtëzakonshëm dhe theksoi se synimi është që i gjithë vendi të jetë pjesë e Eurovisionit.

“Kjo nuk ka të bëjë me një qytet që pret Eurovisionin. Është Bullgaria që pret Eurovisionin – një komunitet i tërë, i bashkuar dhe i frymëzuar.”

Kur zhvillohet Eurovision 2027?

Gjysmëfinalja e parë: 11 maj 2027

Gjysmëfinalja e dytë: 13 maj 2027

Finalja e madhe: 15 maj 2027

Përveç tre netëve televizive, fansat do të kenë mundësi të ndjekin edhe gjashtë shfaqje paraprake, që do të zhvillohen nga 10 deri më 15 maj.

Personat që dëshirojnë të blejnë bileta duhet të regjistrohen në Eurofan, klubin zyrtar dhe falas të fansave të Eurovisionit. Shitja e biletave do të hapet në një fazë të mëvonshme.

Burgasi është qyteti i katërt më i madh i Bullgarisë dhe njihet për plazhet, parqet, jetën kulturore dhe festivalet verore. Organizatorët synojnë që gjatë javës së Eurovisionit qyteti të kthehet në një qendër të madhe muzikore dhe argëtuese.

Aktivitete të ndryshme do të zhvillohen në qytet, përfshirë Eurovision Village dhe EuroClub, ndërsa programi i plotë kulturor pritet të publikohet në muajt në vijim.

Martin Green, drejtor i Eurovision Song Contest, tha se Burgasi ofron një kombinim të veçantë të identitetit kulturor, infrastrukturës dhe atmosferës së qytetit bregdetar, duke shprehur synimin për të krijuar një Eurovision “vërtet bullgar”, por njëkohësisht të dallueshëm si spektakli i madh evropian i muzikës.

Top Channel