200 pasagjerë bllokohen në Verona

24/11/2013 19:10

Të paktën 200 pasagjerë shqiptarë ndodhen të bllokuar në aeroportin e Veronës në Itali, pas anulimit të fluturimit nga kompania ajrore “Belle Air”.

Top Channel kontaktoi me një prej pasagjerëve, Violeta Gjana, që ndodhet në këtë aeroport, e cila na tregoi se ata nuk ishin njoftuar për këtë anulim.

Mes pasagjerëve – siç tregoi ajo, – ka gra shtatzëna, fëmijë dhe dy gra me aftësi të kufizuar.

Pasagjerët ndodhen aty prej orës 14:30, ndërsa fluturimi për në Tiranë, që u anulua, ishte shënuar në orën 17:35 minuta.

Zonja Gjana shpjegoi se kanë paraqitur një denoncim në polici, për bllokimin e tyre prej disa orësh tashmë në aeroportin e Veronës.

Në faqen e internetit të Aeroportit të Tiranës shihet gjithashtu se janë anuluar edhe fluturimet e kësaj kompanie nga Bari dhe Bergamo, të caktuara në oraret 22:20 dhe 22:40.

Top Channel kontaktoi edhe me kompaninë ajrore “Belle Air” dhe një prej operatorëve të saj tha se “pasagjerët janë njoftuar për anulimin, por ai nuk pranoi të jepte asnjë informacion të detajuar për anulimet e fluturimeve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA