Nyja e kravatës në jakën e këmishës ka dalë jashtë mode. Për pasojë,
“Tie Rack”, zinxhiri më i madh britanik i dyqaneve të specializuara në
kravata dhe aksesorë veshjesh për meshkujt, do të mbyllë dyert.

Pas 30 vitesh aktivitet, kompania e themeluar nga sipërmarrësi afrikano-jugor Roy Bishko në vitin 1981, do të mbyllë të gjitha dyqanet në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasi ka kaluar nga 450 pika shitjeje në vitin 1998 në 44 aktualisht, disa prej të cilave në aeroporte dhe stacione hekurudhore, kompania ka llogaritur se fiton nga kravatat vetëm 1/5 e të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër vjen nga aksesorë të tjerë si rripat dhe portofolët.

Rënia drastike do të prekë 200 punonjës, të cilët do të humbasin vendin e punës. Shkaqet kryesore për këtë rënie, që i ka shkaktuar kompanisë humbje prej 7 milionë stërlinash në vit, janë sipas analistëve gabimet me marketingun, por sidomos ndryshimi radikal i stilit të të veshurit.

Burrat, kryesisht të rinjtë por edhe politikanë të afirmuar, nga Obama tek Cameron, janë më të prirur drejt një veshjeje ‘casual’ edhe në detyrë. Tani kravata përdoret vetëm në ceremoni diplomash dhe në raste të veçanta, të cilat për biznesin nuk janë të mjaftueshme.

Top Channel