Autoritetet franceze shpërngulën sot rreth 400 azilkërkues shqiptarë, kryesisht romë, të cilët jetonin, që prej muajit gusht, poshtë urës së një autostrade në Lion, në kushte aspak higjenike, pa ujë, pa ushqim dhe në prani të minjve.
Sipas mediave lokale, më 23 tetor, gjykata e Lionit vendosi për dëbimin e menjëhershëm të tyre.
Prefekti i qytetit, organizatat joqeveritare dhe agjencitë franceze të transportit mundësuan këtë mëngjes evakuimin e tyre drejt disa zonave periferike, ku ofrohen kushte më të mira banimi për këta shtetas shqiptarë, të paktën deri më 30 mars.
Fillimisht, 120 azilkërkues kishin ngritur tendat nën urë gjatë verës, por ndërsa ata ishin transportuar drejt banesave sociale periferike të qytetit, të tjera familje i ishin bashkuar vazhdimisht kampit, duke e çuar në 400 numrin e azilkërkuesve, nga të cilët 150 fëmijë, sipas të dhënave të fundit të 31 tetorit.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel