Kush është Mark Pritchard?

06/11/2013 00:00

Deputeti konservator Mark Pritchard është një emër i njohur në qarqet e politikës shqiptare pasi për disa vite ai ka mbajtur postin e kryetarit të grupit parlamentar gjithëpartiak Britani e Madhe-Shqipëri.

E gjithë biseda mes gazetarëve të “Daily Telegraph”, ku deputeti flet për lidhjet e tij me politikanët e Tiranës është zhvilluar në një prej hoteleve emblematike të Londrës, “Savoy Hotel”.

“Daily Telegraph” e përshkruan bisedën mes gazetarëve investigativë dhe Pritchard si një tendencë e hapur prej tij për të avancuar interesat në biznes se sa ato politike të partisë konservatore të David Cameron që përfaqëson.

I gjithë bashkëbisedimi është regjistruar nëpërmjet një kamere të fshehtë, ku Pritchard në lidhje me mundësinë e bërjes biznes në Tiranë jep këtë detaj:

Personi i cili vendos për hotelet në Tiranë është kryebashkiaku. Ai është i drejtë. Unë këtë e di pasi njoh njerëz majtas dhe djathtas”.

Deputeti Mark Pritchard ka avancuar më tej përpjekjet e tij për t’u treguar gazetarëve të maskuar si biznesmenë se ai kishte të gjitha lidhjet e duhura me politikanët e Tiranës.

Unë njoh kryeministrin….. i njoh të gjithë…. i njoh ata shumë mirë… Kam numrat e celularëve… kështu ata e dinë se ky është një investim serioz për vendin e tyre dhe s’kanë për të bërë numra pasi …”.

“Daily Telegraph” nënvizon një tjetër detaj të deklaruar për Pritchard që lidhet me kryebashkiakun Lulzim Basha, kjo sipas gazetës nga ana e deputetit për të provuar se çfarë po thoshte ishte e vërtetë.

Gazeta pretendon se gjatë këtij takimi Mark Pritchard i ka dërguar një sms Lulzim Bashës me këtë përmbajtje: “A jeni duke parë për investime që lidhen me hotelet në 2014-n?”.

“Daily Telegraph” sqaron se i gjithë hetimi ka zgjatur 5 muaj, ndërkohë që biseda ku përmendet kryebashkiaku i Tiranës është regjistruar në muajin shtator 2013.

Gjithashtu, Pritchard në një prej takimeve i ka ofruar gazetarëve investigativë, të cilët ishin në rolin e biznesmenëve, mundësinë e organizimit të një udhëtimi në Shqipëri, që do të shërbente në përgatitjen e nisjes së investimeve. Sipas tij, ai ishte në kontakte të rregullta edhe me qeverinë Shqiptare.

Ne atje do të takohemi me kryeministrin… do t’i takojmë të gjithë. Unë do të them vetëm një gjë, se jeni duke parë për të investuar në atë vend”, ka thënë Pritchard.

Lordi Oakeshott, nga partia Liberal Demokrate, duke komentuar këtë investigim të “Daily Telgraph” thotë se: “Të shtrënguarit e duarve duke përfituar një shpërblim pas një prezantimi me kryeministrin ndoshta është diçka normale në Shqipëri, por jashtë çdo lloj standarti sjelljeje të një parlamentari britanik”.

Top Channel